Aktualisht kamionët dhe autobusët nuk mund të kalojnë nga Kosova në Serbi ose anasjelltas. Kjo pasi Kosova vendosi që t’i ndalojë kamionët që vijnë nga Serbia, ndërsa shoferët serbë mbrëmë kanë bllokuar rrugët që çojnë në këto tri pika kufitare. E gjithë kjo nisi pas kidnapimit të tre policëve në territorin e Kosovës.
Të mërkurën e javës së kaluar, tre policë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer në territorin e Kosovës nga, siç ka thënë ministri Sveçla, ushtria serbe. Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë ka njoftuar se atyre iu është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar SHBA-të, Britania e Madhe dhe Gjermania. Mirëpo, pas kidnapimit të policëve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë urdhër që të bllokohet hyrja e kamionëve të Serbisë në Kosovë. Për këtë vendim, Kurti ka thënë se nuk është masë ekonomiko-tregtare, por masë e sigurisë.
“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, tha Kurti, një ditë pas kidnapimit të policëve.
Për ndalimin e hyrjes së kamionëve të Serbisë në Kosovë, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Kosova s’mund ta ndalojë importin e mallrave serbe, sepse kjo bie në kundërshtim me rregulloret.
“Ju nuk mund ta ndaloni importin e mallrave serbe sipas rregulloreve që ekzistojnë sot, që nga CEFTA e deri te të gjitha rregulloret e tjera. Nuk mund ta bëni! Së dyti, po tregoni se dëshironi të vdisni popullin serb në Kosovë, për t’i lënë pa ushqimet bazë, qumësht e bukë. Shumica e brumërave këta njerëz i marrin nga Rashka. Kjo tregon synimin e tyre për të dëbuar përgjithmonë popullatën serbe nga zona e veriut të Kosovës”, ka deklaruar Vuçiq.
Ndërkaq, mbrëmë, drejtuesit e kamionëve serbë, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e mallrave serbe, janë përgjigjur.
Ata bllokuan rrugën magjistrale në pjesën e Serbisë, pas pikës kufitare të Jarinjes, si dhe pas pikës kufitare të Merdares në vendin e quajtur Rudare.
Protestuesit e vendosur në rrugët që çojnë në këto tri pika kufitare, kanë thënë që nuk do të zbrapsen derisa të tërhiqet vendimi për bllokimin e kamionëve serbë.
“Ne jemi këtu që nga ora 18:00 mbrëmë në shenjë proteste kundër bllokimit të kamionëve tanë. Jemi këtu, në një farë mënyre dhe në shenjë mbështetjeje për popullin serb në Kosovë”, ka thënë njëri nga protesuesit në Rudarë.
Pas këtyre ngjarjeve, Ministria e Punëve të Brendshme, mbrëmë ka njoftuar për mbylljen e tri pikave kufitare me Serbinë, ndërsa, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin kalimin nëpër Serbi.
Për këtë çështtje, Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ka në kompetencë gjendjen e pikave kufitare, mirëpo të njëjtit deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Aktualisht sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në Jarinjë, Bërnjak dhe Merdar nuk ka kolona dhe pritjet në hyrje dhe dalje janë 3 deri në 5 minuta.
Gjatë ditës, gazetari i T7, Unitet Berisha, ka raportuar nga Merdare që ka qarkullim të ulët të automjeteve, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës po rekomandon që veturat me targa “RKS” të mos kalojnë në Serbi.
Ftesa e BE-së për një takim mes Vuçiqit e Kurtit, pas tensioneve të njpasnjëshme
Nga hyrja e kryetarëve shqiptarë në objektet e katër komunave veriore, ka pasur vazhdimisht tensione. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve, ndërsa kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë vënë kushte para se të takohen.
Kurti ka thënë që do të marrë vendim kur të njoftohet për gjendjen e tre policëve që po mbahen të burgosur në Kralevë të Serbisë. Informatat pret t’i merr nga vizita e Shefit të Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari.
“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin. Vizita [Jasharit] është menduar për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin që të më njoftojë për gjendjen e këtyre policëve që po mbahen rob në Serbi”, ka thënë ai.
Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se e konsideron të pakuptimtë të flasë me Kurtin, pasi, sipas tij, ai nuk është i gatshëm të flasë.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Megjithatë, kjo nuk i bie se ai nuk merr pjesë në një takim me Kurtin në Bruksel. Vuçiq tha se do të vendosë nëse do të shkojë në një takim teknik. Sipas tij, vendimi për ftesën e Borell do të jetë “taktik” dhe se për këtë do ta informojë opinionin.
Ndërsa, Bashkimi Evropian ka kërkuar që palët të takohen “pa kushtëzime” në Bruksel.
“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, tha Stano dje gjatë një konference për media./Botapress.info/