Tragjedia në Himarë-Arjan Tase: Nëse do isha rrotulluar në anën tjetër, do kisha vrarë familjen time

Ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Arjan Tase ka dhënë detaje të tjera lidhur me atë që ka ndodhur mesditen e të martës në plazhin e Potamit në Himarë. Në rrëfimin e tij, gjatë seancës së sotme për masën e sigurisë, Tase është shprehur se nuk do të bënte asnjë justifikim. Tase tha se në skaf kishte hipur vetëm e ëma dhe djali i tij i vogël, e se pjesa tjetër e familjes ishte në det, ndaj shtoi se nëse do të kthehej nga ana tjetër, varka e tij do të vriste familjen e vetë.

“Dua t’i kërkoj falje familjes të së miturës për tragjedinë që i kam shkaktuar. Nuk do të doja kurrësesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohen dhe nuk do pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese. Dua tju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të policisë së shtetit të prekur nga kjo situatë. Nuk duhet të ndodhte kurrsesi, por fati im i keq. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time”, tha ai pasi kërkoi falje.

Sot, Prokruroria ka ngritur ndaj tij akuzën ‘vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte’ dhe jo “vrasje nga pakujdesia”, që ishte akuzuar më herët. Ndërsa është caktuar që të mbahet në masën e sigurisë “arrest me burg” deri në shpalljen e vendimit përfundimtar nga ana e Gjykatës së Vlorës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht në Plazhin e Potamit. E mitura po lahej në det kur u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Për këtë ngjarje të rëndë është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, por protestuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe Nanos./Botapress.info/

ngjashme