Mediat më prestigjioze në botë, po shkruajnë sot për Kosovën. Më konkretisht, për kërkesën që e bëri ShBA-ja dje në lidhje me Kosovën. Aleati ynë i kërkoi Serbisë që ta largojë menjëherë ushtrinë nga kufiri. Si e shpjegon “The New York Times” krejt këtë situatë, duke ngritur pyetjen se pse u bë një kërkesë e tillë?
Shtëpia e Bardhë të premten i ka kërkuar Serbisë që t’i kthejë prapa trupat e saj pranë kufirit me Kosovën.
Siç shkruan “NYT”, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë përshkruan prezencën ushtarake ei “destabilizuese” dhe një shenjë shqetësuese për një eksalim potencial.
Tutje, citohen fjalët e zyrtarit të lartë amerikan, John Kirby, i cili e konfirmoi që zyrtarë të tjerë amerikanë kanë kontaktuar liderë të të dyja vendeve për t’i shtyrë që të përkushtohen në një dialog diplomatik.
Çka ndodhi së fundi?
Kjo është pyetja që shtron “The New York Times”, derisa vijon me shpjegimin se si dhjetra serbë të armatosur hynë në fshatin Bajnskë të Kosovës dhe më pas u strehuan në një manastir.
“Nga ajo pozitë, luftuan me policinë e Kosovës, dhe një zyrtar policor kosovar është vrarë, po ashtu, edhe disa prej sulmuesve.” – raporton ky medium.
“Kosova është nën sulm.” – kjo gazetë citon tutje fjalët që presidentja Vjosa Osmani ia tha të enjten “Reuters”-it.
Zyrtarët amerikanë e kanë përshkruan sulmin si shumë të organizuar, dhe kanë deklaruar që sulmuesit, me shumë gjasë, kanë pasur burime të rëndësishme prapa tyre.
“Z.Kirby ka deklaruar që personat e armatosur asgjësuan një duzinë automjetesh sportive që ishin përdorur për të transportuar armë me “sofistikë alarmante” – shkruan tutje “NYT”.
Këto armë, sipas zyrtarit amerikan, treguan një kërcënim jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj trupave ndërkombëtare të stacionuara atje.
Tutje mediumi i njohur vijon të tregojë se çka qëndron prapa konfliktit të muajve të fundit, si dhe për raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë.
Më shumë rreth zhvillimeve të fundit: Kërkesën e njëjtë e bën edhe BE-ja
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i ka kërkuar nga Serbia që të ndalojë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën.
Shefi i diplomacisë së BE-së ka thënë se veprimi i Serbisë është shumë shqetësues.
“Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë.’ – ka deklaruar ai.
Ai ka vlerësuar se BE-ja është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës.
Radojiçiq i përfshirë në sulmin terrorist
Kjo bisedë, vjen pasi Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë së afërt me presidentin Aleksandër Vuçiq, konfirmoi se ka qenë pjesë e sulmit terrorist.
Në një letër të bërë publike tashmë, Radojiçiq e pranoi se ishte pjesë e grupit terrorist që hynë në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic kosovar. Tutje, avokati Petronijeviqi e ka lexuar edhe një letër të Radojiçiqit, e cila ishte e mbushur me propagandë.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror.” – lexohet në letër, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti
Personi që veç është në listën e zezë të ShBA-së, përmes kësaj letre njoftoi edhe se ka dhënë dorëheqje nga pozita që e ka mbajtur deri sot në Listën Serbe.
Vuçiq në anën tjetër, duke folur mbi përfshirjen e Radojiçiq në këtë sulm, pretendoi se ai “nuk do të ikë e as nuk do të fshihet”.
“Jam i sigurt se autoritetet kanë për të bërë pyetje. Nëse prokurori do ta ndjek atë, kjo nuk është në pyetje për mua. E para kjo shkon sipas procedurës, sipas asaj që di, nëse dikush ka menduar se ai do të ikë apo të fshihet.” – ka deklaruar ai sipas “N1”.