Kanë kaluar një javë prej kur Lëvizja Vetëvendosje mbajti mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë në sallën e Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës. Përveç temave nacionale, në mbledhje u fol edhe për punët dhe arritjet për dy vjet e gjysmë të Qeverisë Kurti ll dhe për çështje organizative të partisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në mesin e delegatëve ku bënin pjesë deputetë të LVV-së e aktivistë, u panë të pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, ministri i financave Hekuran Murati, ai i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Që të tre, zyrtarisht nuk kanë deklaruar publikisht se janë pjesë e partisë, çka bëri të çuditshëm praninë e tyre në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.
Maqedonci i cili tash e dy muaj është emëruar në pozitën e të parit të ministrisë së Mbrojtjes, u pa i ulur në rreshtin ku ishte edhe Dejona Mihali, e cila është koordinatore e komiteteve në VV e që fuqia e saj është e jashtëzakonshme brenda partisë.
Ai, në një intervistë për “Kallxo Pernime”, mohoi të jetë pjesë e ndonjë partie politike, anipse ju përmendën Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo, parti këto që janë në bashkëqeverisje.
“Me cilën parti je, me Faton Pecin a me Albin Kurtin, me cilën je?”, u pyet ministri.
“Në fakt unë jam ministër I Mbrojtjes që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje. Nuk jam anëtar i LVV-së”, u shpreh Maqedonci.
Kur u pyet se a do të bëhet anëtar i VV-së, ai u shpreh: “Nuk mund të them…unë e kam për synim përfundimin e mandatit si ministër..”
Ndërsa e la të hapur mundësinë për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme.
“Ende nuk e kam marrë atë vendim, mirëpo nuk është e çuditshme të shihemi edhe në zgjedhje”, përfundoi Maqedonci.