Që njohja dhe të mësuarit e një apo disa gjuhëve të huaja ne ditët e sotme është domosdoshmëri e kohës, kjo s’ka diskutim. Por, fakti që gjuha shqipe shpesh anashkalohet para të tjerave si ajo gjermane, angleze… etj. kjo don diskutim, edhe te madh bile.
Personalisht e kam shumë të veshtirë me kuptu dhe me pranu si diçka normale faktin që të mësuarit e gjuhëve të huaja për fëmijët në diasporë dhe jo vetëm, favorizohet nga shumë prindër para të të mësuarit të gjuhës shqipe- gjuhës së nanës.
E kam të vështirë me pranu si diçka normale komunikimin, para se gjithash të nanës, me fëmijët e saj ne gjuhën gjermane, edhe atë në një gjermanishte te çoroditun, gjysmake dhe qesharake. Sepse një nanë e tille lëre që nuk e njeh gjermanishten me gramatikën dhe drejtshkrimin e saj, por me siguri, as gjuhën shqipe sa dhe si duhet. Nuk e njeh lashtësinë e saj, historinë e saj të dhimbshme, bukurinë dhe luftën e saj për t’mbijetu.
Perndryshe ajo e kish pasë pak dashni për gjuhën në të cilën është rritë vet dhe këtë pak dashni e kish percjellë edhe tek fëmijët qe po rriten n’vend te huaj e të cilët gjermanishten ose anglishten, ose… ose… kanë me mësu pa qare. Por jo edhe shqipen që është arma ma e fortë kundër asimilimit të brezave të ri n’vende t’huaja.
Një grimë dashni, krenari e dinjitet për rranjët dhe prejardhjen e vet, nuk kish me qenë kërkesë e madhe. Jo aso dashnije false per me ba shqiponjën me duar e as me mbajtë zinxhir qafe, por dashni në edukim, duke e pasë parasysh se secili nga këta fëmijë e perfaqeson edhe familjen dhe prejardhjen e saj në një vend të huaj.
Vend i huaj i cili kurrë s’ka me u ba u tyne, as per varre jo. Edhe pse në sipërfaqe duket i tillë.
Por jo, ky soj i prindërve e para se gjithash nanat, lëre që flasin gjermanisht me fëmijët e tyre por disi ndihen edhe krenarë për këtë gjë. Bile ajo lloj krenarie e përçudshme ju lexohet edhe në fytyrë kur thonë që femijët e tyne nuk din shqip “se qishtu n’shkollë, e me shoqni e me televizor veç gjermanisht. Edhe çka po ju vyen ubo shqipja, k’ta k’tu dojnë me jetu, m’u integru”. Thuajse mësimi i gjuhës shqipe po e pengojka integrimin
Por kudo që kanë me jetu nëpër botë dhe kudo që ka me i nxanë vdekja, asnjë gjuhë tjetër nuk ka me mujtë me ua shprehë dashninë dhe as ngushëllimin si gjuha e nanës.
Përkundër injorimit që ju ia keni ba dhe po vazhdoni me ia ba.