Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë, më i fuqishmi në këtë rajon në gati 73 vite, është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën detare pranë gadishullit rus Kamçatkë, duke shkaktuar cunam në pjesë të Rusisë dhe Japonisë. Autoritetet kanë lëshuar alarme emergjente për banorët e shumicës së vendeve që lagen nga Oqeani Paqësor, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas Ministrisë ruse për Menaxhimin e Emergjencave, qyteti Severo-Kurilsk, që ndodhet në pjesën veriore të arkipelagut të Ishujve Kurile, është përmbytur nga uji. Pamje të shpërndara në rrjete sociale tregojnë ujë të furishëm që përshkon rrugët dhe depërton në ndërtesa të këtij qyteti me rreth 2.000 banorë, të cilët janë evakuuar urgjentisht.
Nga Japonia, transmetimet e drejtpërdrejta televizive treguan banorë që largoheshin drejt zonave më të larta, me automjete ose në këmbë, veçanërisht në ishullin verior Hokkaido, ku u shënua një valë e parë cunami me lartësi rreth 30 cm.
Po ashtu, evakuime ka pasur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Guvernatori i Havait, Josh Green, u ka kërkuar njerëzve të ndjekin urdhrat e evakuimit dhe të qëndrojnë të qetë, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i këshilloi amerikanët të jenë në gatishmëri për paralajmërimet për cunami. Sipas Institutit Amerikan të Studimeve Gjeofizike, tërmeti u regjistrua në orën 01:35 sipas kohës lokale, në një thellësi prej 20.7 kilometrash, rreth 126 kilometra larg nga qyteti kryesor i rajonit të Kamçatkës, në skajin më lindor të Rusisë. Fillimisht tërmeti u raportua si 8.0 ballë, më pas u përmirësua në 8.7 dhe përfundimisht në 8.8 ballë. Sipas Akademisë së Shkencave të Rusisë, ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në këtë zonë që prej vitit 1952.



Të tjera
Aktuale
Kurti tregon pesë vendimet e para që do t’i marrë mandatin e radhës
Albin Kurti po synon një tjetër
Aktuale
Haradinaj: Pati skeptikë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, por i garantova që do të jetë e paqes
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në
Aktuale
Marrëveshje dhjetëra milionëshe, masat që i hoqi BE-ja
Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë