Tenderin e dyshimtë në KEK e fitoi kompania e familjarit të zyrtares së Prokurimit

Korporata Energjetike e Kosovës i ka dhënë tender kompanisë “Gërguri”, pronari i së cilës del të jetë familjar i zyrtares së prokurimit në KEK, Mirvete Gërguri. Kjo kompani kishte çmimin e dytë më të lartë konkurrues dhe arriti të dalë fituese. Ndonëse ende nuk është publikuar zyrtarisht si fituese e tenderit kompania e Remzi Gërgurit tashmë ka filluar punën.

Më 14 tetor, Korporata Energjetike e Kosovës ka hapur tender për “Shërbimet e ngarkimit dhe transportit së qymyrit për qytetarët dhe biznese”, për një sasie prej 150.000 ton.

LEXO EDHE KETE

Radha e presidentes për kapjen e institucioneve: Familjarja e Vjosa Osmanit vihet në krye të rektoratit të UP-së

Kjo sasi e qymyrit pritet që nga miniera e Sibovcit Jug-Perëndim të shërndahet brenda 60 ditëve kalendarike. Në garë për këtë tender kishin qenë katër kompani, të cilat afatin e fundit për aplikim e kishin me 18 tetor, në ora 13:00.

Kompania fituese e këtij tenderi jo zyrtarisht del të jetë “Gërguri”, e njëjta sipas burimeve të Gazetës Insajderi tashmë ka filluar edhe punën në terren.

Sipas të njëjtit burim, zyrtarja e prokurimit në KEK, Mirvete Gërguri është e afërt me këtë kompani. Ajo është vajza e axhës së pronarit të kompanisë, Remzi Gërgurit.

Kompania “Gërguri” renditet e dyta me çmimin më të lartë, duke dalur fitues edhe pse dy kompanitë e tjera konkurrues “Npn Er-Com” dhe VK Construction” kishin çmim më të ulët.

Kompania e Remzi Gërgurit çmimin e ngarkesës për një kamion me qymyri e kishte 24 euro e 95 cent.

Ndërsa, çmimin e transportit të qymyrit për një kilometër kjo kompani e ka 2.25 cent.

Gazetza Insajderi ka dërguar pyetje në KEK lidhur me dallaveret që janë bërë brenda këtij konkursi por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikim e lajmit.

Ndërsa, nga kompani me çmimin më të ulët “VK Construction”, i kanë thënë Gazetës Insajderi se në këtë konkurs ka pasur konflikt interesi dhe është bërë në mënyrë tinëzare.

Të njëjti tashmë kanë dorëzuar një ankesë në KEK lidhur me këtë tender.

Sipas tyre kompania ‘Gërguri SHPK’, kontratën e tenderit të fituar e kanë nënshkruar në teren dhe jo në zyre.

Kompania “VK Construction” çmimin ofertues për transport të qymyrit për 1 kilometër e ka pasur 2,35 euro, ndërsa për ngarkesë për 1 kamion qymyr e ka pasur 23,7 euro, ku në total çmimi ofertues me TVSh, ka qenë 26,075 euro.

Gazeta ka dërguar pyetje pronarit të kompanisë “Gërguri”, Remzi Gërgurit, por i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.

Në web-faqen e KEK, ende zyrtarisht nuk është publikuar se cila është kompania fituese e tenderit./Botapress.info/

ngjashme