Kryeministri Albin Kurti në raportimin e tre nëntorit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës e ka paraqitur si mjeshtëri të tij prej negociatori faktin që Kosova s’ka paraqitur një Draft për Asociacionin. Kurti prej foltores së Kuvendit tregonte si e ka shmangur kurthin duke mos propozuar një Draft për meqë kishte nuhatur se BE-ja donte një mesatare mes Draftit të Danijela Vujicicit dhe Draftit të Kosovës. Megjithatë një muaj më pas, një prej njerëzve më të afërt të tij, Glauk Konjufca, në një intervistë për Zërin e Amerikës e ka kritikuar BE-në se ia ka marrë një kompetencë Kosovës kur kanë bërë propozimin e Draftet dhe se nuk i takon Brukselit që ta bëj një gjë të tillë. Numri dy i VV-së ka thënë se rendi logjik i gjërave ka qenë që Kosova të propozonte.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor të këtij viti, lavdërohej para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se si kishte arritur të shmang kurthin rreth çështjes së Asociacionit. Duke folur për këtë temë, Kurti argumentonte në Kuvend, se për Kosovën është bërë shumë më mirë që BE-ja ka propozuar një Draft, meqë po të propozohej një Draft nga Prishtina zyrtare, punët në fund do të vinin tepër keq.
Kurti e thoshte këtë duke argumentuar me atë që po zihej brenda tryezave të dialogut dhe se kishte nuhatur që BE-ja e donte një mesatare. Sipas shefit të Qeverisë, nëse Kosova do propozonte Draftin e saj, atëherë BE-ja do të merrte Draftin e drejtueses së Ekipit Menaxhues, Daniela Vujicicit, të cilin edhe e kishte pranuar Brukseli zyrtar, gjithashtu Draftin e Kosovës dhe të dy Draftet do t’i fuziononte në një.
Kjo mesatare sipas Kurtit do të ishte tepër e dëmshme për Kosovën. Kryeministri në fjalën e tij ka thënë se nëse do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë Kosova do të vendosej në një qoshe nga presioni ndërkombëtar për të gjetur një mesatare mes draftit të Vujicicit dhe draftit të Kosovës.
Por, Kurti ka thënë se i ka ikur një “kurthi” të tillë tillë duke kërkuar që fillimisht të ketë pajtim për parimet e më pas për germën. Kurti tek parimet kishte përmendur Kushtetutshmërinë, Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe qëndrimin amerikan. Ai ka thënë se Drafti i BE-së i respekton të tri këto qëndrime, por shton se megjithatë ka pasur vërejtje. Por pavarësisht kësaj, Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruaj në kuadër të një pakete bashkë me Marrëveshjen Themelore dhe Planin e Zbatimit, ani pse para dy ditësh i kishte dërguar BE-së vërejtjet e tij për Draftin.
“Kishte qenë gabim. Arsyeja pse unë konsideroj që do të kishte qenë gabim, që në majin ose qershorin e këtij viti ta shkruajmë një Draft për Asociacionin, sepse atëherë kishte qenë insistimi më i madh, të shkruaj Kosova Draftin për Asociacionin, është se në njërën anë, ndërmjetësi e ka pranuar Draft Statutin e deputetes së Serbisë, kreut të atij ekipit menaxhues, Danijela Vujicic, i cili është edhe më keq se Republika Srpska. Atë Draft Statut e kanë pranuar fasilituesit, ndërmjetësit. Nëse ne si Kosovë do ta shkruanim atë Draft statut, atëherë për mua prej bisedimeve të brendshme ka qenë shumë e qartë se ndërmjetësi, ka tendencë të gjej mesataren dhe ajo mesatare do të ishte shumë e keqe për ne. Atëherë Kosova, qeveria, posaçërisht unë, do të vendoseshim në një kënd, me komplet insistim ndërkombëtar, për mesatare, mes asaj që shkruajmë ne dhe asaj që e kishte shkruar Danijela Vujcici. Unë s’e kam dashur atë mesatare. Dhe si kemi dalë prej asaj gjendje, kam thënë se së pari duhet të pajtohemi për frymën e pastaj për germën. Dhe kam vënë ato tri shtyllat. E para Kushtetutshmëria dhe aktgjykimi i Kushtetueses, letra e Mogherinit dhe e treta qëndrimi amerikan Chollet Escobar i 30 janarit. Pra një herë le të pajtohemi për frymën, principet e pastaj për germën. Ka qenë kurth për mua, jam i bindur për këtë gjë, sepse konfidencialitetin e bisedimeve s’mund ta nxjerr, por jam I bindur edhe më shumë sot, sesa në pranverë e verë, se po të kisha shkruar unë një Draft statut, do të vinim në një mesatare aritmetikore mes Danijela Vujicic dhe meje si kryeministër, dhe kjo do të ishte shumë e dëmshme. Unë kam insistuar në parime në principe. Dhe tash emisarët kanë ardhur me një Draft që njëmend I respekton këto parime, principe, mirëpo prapë kam vërejtjet dhe kritikat e mia. Unë nuk e kam pranuar Draft statutin, kurrë nuk do ta kisha nënshkruar. Mirëpo kur mu than nga krerët evropianë që situata është urgjente dhe shansi është unik, unë thash prisni pak se Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin i kam pranuar. Nëse dëshironi një paketë, le ta bëjmë, le ta bënim një paketë dhe unë pranoj si pjesë të paketës, ndonëse I kam dhënë vërejtjet para dy dite. Por vetëm si pjesë të paketës, jo të nxjerrë nga paketa”, ka thënë Kurti më 3 nëntor në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Por gjithë këtë narrativë të kryeministrit Albin Kurti për shmangie kurthi dhe se se është bërë shumë mirë për Kosovën që BE-ja e ka propozuar një DRAFT për Asociacionin, e ka goditur nga SHBA-ja numri një i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Sipas Konjufcës, BE-ja s’ka bërë mirë që e ka propozuar atë DRAFT dhe se rendi normal i gjërave ka qenë që Kosova ta propozonte një statut të tillë.
“Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte në statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes”, ka thënë Konjufca, i cili s’ka qenë në seancën e Kuvendit më 3 nëntor kur Kurti kishte folur për çështjen e Draftit.
Në këtë intervistë për Zërin e Amerikës Konjufca ka thënë se BE është ngutur me propozim dhe se nuk i takonte Brukselit që ta bënte një propozim të tillë duke ia marrë një kompetencë të tillë shtetit të Kosovës.
“ Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Konjufca për Zërin e Amerikës.