Gjykata Themelore e Ferizajt ka shpallur sot aktgjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit. Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm, e Sejdiu me 15 vjet burgim.
Në seancën e sotme, Krivaqa është paraqitur me një tatuazh kundër Policisë, siç shihet edhe në një fotografi të publikuar nga Koha.net.
Kjo është situata në veri pas largimit të Policisë së Kosovës
Në momentin kur kryetari i trupit gjykues e shpalli aktgjykimin, në sallë shpërthyen duartrokitjet e brohoritjet “bravo”. Aty u dëgjua edhe një grua, e cila iu drejtua Krivaqës me “o i mjerë”.
Krivaqa e Sejdiu akuzoheshin edhe për dhunim dhe ndihmë në kryerje të dhunimit, por Gjykata i ka liruar nga akuza, “meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale.”.
“I akuzuari Dardan Krivaqa lirohet nga akatkuza për veprën penale “Dhunimi”, meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale. I akuzari Arbër Sejdiu lirohet nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerje të veprës penale Dhunimi”, meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.