Sot ka përfunduar takimi trilateral në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, dhe drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak.
Në një deklarim para gazetarëve pas këtij takimi, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se takimi i radhës Kurti-Vuçiq është paraparë që të mbahet më 22 prill, në Bruksel.
Mirëpo, siç tha Bislimi, kjo datë nuk është e sigurt shkaku i jogatishmërisë nga pala serbe.
“Por, kjo nuk është edhe aq e sigurt pasi që ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që mbetet të shqyrtohet një datë alternative”, tha Bislimi para gazetarëve.
Të dy liderët u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes me bazë propozimin evropian, për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse dokumenti nuk u nënshkrua, komuniteti ndërkombëtar e konsiderojnë këtë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.