Një takim i dyshimtë është zhvilluar të dielën në mëngjes në mes të Dejona Mihalit me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti. Paparaci, ka sigurar pamje nga takimi i tyre. Takimi me Mihalin nuk është i përshkruar në detyrat e krerëve të inteligjencës. Këtë takim e bën edhe më skandaloz fakti që vetë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë kishte rekomanduar ndalimin e hyrjes së Mihalit në Kosovë, për shkak se “paraqiste rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës”.
Pushteti paralel i Vetëvendosjes i udhëhequr nga Dejona Mihali, duket që ka shtrirë kontrollin edhe mbi organet ligjzbatuese të inteligjencës dhe sigurisë. Eksponentja nga Shqipëria e cila është akuzuar publikisht se kontrollon të gjithë deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrat e Kurtit, të dielën është shfaqur në Gërmi përballë krerëve të sigurisë.
Shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe këshilltari i Maqedoncit, Durim Abdullahu kanë pirë kafën e mëngjesit në Vila Germi të dielën në mëngjes.
Paparaci, ka sigurar pamje, teksa bisedonin të qeshur e të afërt me njëri-tjetrin. Petrit Ajeti, si shef i AKI-së, i raporton vetëm presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeminitrit, Albin Kurti. Kurrsesi personave tjerë, e aq më pak atyre që nuk ka asnjë pozitë shtetërore në Republikën e Kosovës.
Skandali bëhet edhe më i madh kur dihet se vetë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë kishte rekomanduar që Dejona Mihalit t’i ndalohej hyrja në Kosovë për shkak të rrezikut për siguri kombëtare.
Vendimi ishte zbatuar nga Policia e Kosovës në vitin 2016. Bashkë me Milalin hyrja i ishte ndaluar edhe Boiken Abazit dhe Arbër Zaimit. Rekomandimet e AKI-së, mbeten ende dokumente zyrtare, derisa shefat tjerë të AKI-së, pa asnjë problem janë shfaqur me gruan e cila vite më parë konsiderohej e rrezikshme për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Megjithatë, kontrolli i Mihalit mbi insitucionet e Kosovës prej kohësh është denoncuar publikisht. Ishte deputeti, Haki Abazi, i cili pasi braktisi Vetëvendosjes, denoncoi Mihalin për kontroll të rrept.
Në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, Abazi kishte thënë se Milahi ua shkruan fjalimet deputetëve të VV-së dhe kontrollon gjithçka nga brenda.
“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vie pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarrjen që bëhet aty”, kishte thënë Abazi.
“Natyrisht, që kam protestuar përbrenda” – vazhdoi ai.
Si shef i AKI-së krejtësisht nën kontroll të pushtetit, Petrit Ajeti është përfshirë në veprime të dyshimta. Rasti më i rëndë është dhënia e certifikatës së sigurisë, ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pa iu bërë fare verifikim. AKI-ja që drejtohet nga Petrit Ajeti, si i përzgjedhuri i kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, e kishte pajisur diplomatin Berishaj me certifikatë të verifikimit të sigurisë më 12 shtator, 2021.
Po në atë kohë, ambasadorit Berishaj iu derdhën 51 mijë euro nga kompania energjetike GEN-i, dega në Serbi, në xhirollogarinë e ndërmarrjes së tij “MB Consulting” Sh.P.K. në Kosovë. 12 ambasadorë përfshirë këtu edhe ambasadorin Martin Berishaj ishin pajisur me certifikatë nga AKI-ja, teksa i është dhënë pa pasur verifikim. Sipas burimeve të ndryshme, përfshirë edhe ato në AKI, kanë thënë se certifikata i është dhënë Berishajt me urdhër nga Qeveria.
“Ka ardhur urdhër nga qeveria që të pajiset me certifikatë. Asnjë procedure nuk është ndjekur”, ka thënë një burim brenda procesit.
Janë disa pjesë që përcaktojnë kriteret në Ligji për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë. Pos të dhënave për përgatitjen intelektuale dhe aktivitetin politik, kërkohen edhe të dhëna financiare në lidhje me borxhet apo detyrimet që ka kandidati për ambasador. Berishaj ishte pajisur me pasaportë të Kosovës, një javë pasi ishte dekretuar ambassador i Kosovës në Kroaci. Paparaci kishte raportuar vazhdimisht se ai, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.
Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.
Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd./Botapress.info/