Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në emisionin “Frontal” të T7 ka folur për gjendjen aktuale në Kosovë. Ai tha se Kosova po ballafaqohet me krizën më të madhe në “20 vjetët e fundit”.
“Tema është ku jemi sot. Sot Kosova ballafaqohet me krizën më të madhe të cilën e ka pasë në 20 vjetët e fundit. Të gjithë janë të pakënaqur. Për besë jo me fajin tim, është me fajin e kabinetit qeveritar, të cilët nuk janë në gjendje me sfidu kryeministrin në asnjë situatë. Porosia jem për ministrat është shumë e thjeshtë, ata ose duhet të ushtrojnë detyrën e vet ose nëse kanë pengesa prej dikujt, duhet të deklarohen”.
Kur u pyet se prej kujt kanë pengesa, Tahiri u përgjigj: nuk e di, prej kryeministrit, këtu është vendimmarrje, vendimmarrja është problem.
“Vendimarrja është problem, nuk ka vendimmarrje. Këtu qeveriset mbi teori, rima e kështu ‘më the të thashë’. Folet për filtera e bojlera e nuk investohet në KEK, flitet për teori të qeverisjes së mirë, nuk merret asnjë vendim për të qeverisur mirë. Flitet për ndihmë në sektorin privat, e sektori privat në bllokadë”, tha ai.