Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë e Republikës së Kosovës sa i përket pagës mesatare, ai ka krahasuar shifrat e shkallëve të pagave në rajon dhe është treguar i ashpër me qeverinë për mosmarrjen e hapave të duhur.
Tahiri i AAK-së ka përmendur se në vendet e rajonit ka lëvizje të shpejta në kërkimin e rrugëve për tejkalimin e situatës ekonomike që po kalojnë, por sipas tij Kosova nuk është në hapat e duhur dhe është më së keqi.
Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë tjetër përveç koeficientit 105 euro, ndërsa propozimi i AAK’së për koeficient është 129 euro sepse besohet se jemi në emergjencë ekonomike, ka thënë ai në profilin e tij në Facebook.
“Lëvizje të ngjashme kanë marrë edhe vendet tjera të rajonit. Në krahasim me vitin 2015, kur Kosova kishte pagën mesatare 444 euro, Maqedonia e Veriut – 504 euro, Serbia – 537 euro, Mali i Zi – 726 euro dhe Shqipëria 259 euro; Aktualisht, paga mesatare në rajon është: Kosova 504 euro, apo rritje prej 60 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro apo rritje prej 201 euro; Serbia – 763 euro, apo 226 euro, Mali i Zi – 792 euro apo 66 euro dhe Shqipëria – 900 euro, apo 641 euro. Përderisa këta numra tregojnë për rritjen e pagës mesatare në rajon, Qeveria e Kosovës dhe Ministri Murati, përveç koeficientit të përcaktuar 105 euro, nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Me urgjencë duhet të shqyrtohet rritja e koeficientit në 129 euro në administratë publike siç kemi propozuar ne si AAK dhe të merren masa të shpejta për pagën minimale sipas amandamentit tonë që e kemi propozuar në Komisionin për Buxhet.”/Botapress.info/