Kosova të mërkurën hodhi hapin e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por nga aplikimi për marrjen e statusit të vendit kandidat e deri te miratimi i tij dhe hapja e negociatave, vendeve të rajonit iu deshën vite të tëra.
Zyra e BE-së në Kosovë është shprehur e gatshme të mbështesë vendin në këtë drejtim, derisa dialogu përmendet si prioritet që Kosova duhet të ketë para vetes. Megjithatë, nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare ngrihet dilema se si do të veprojnë vendet mos-njohëse të BE-së karshi aplikimit të Kosovës.
Nënshkrimin e aplikimit e kanë mirëpritur nga Bashkimi Evropian. Shefi i kësaj zyre në Kosovë, Tomas Szyong ka thënë për RTK-në se aplikimi për anëtarësim është historik, ndonëse Kosova është ende e lidhur me marrëveshjen e stabilizim-asocimit nga viti 2016.
“Sigurisht, ne jemi të përgatitur të ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.. Kosova ka të ardhmen evropiane. Mirëpo, si pjesë e rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian, Kosova duhet të ketë prioritet dialogun”, tha Thomas Szyong, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.