Gazetari dhe opinionisti, Valon Syla, ka reaguar pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri.
Syla në një postim në Facebook tha se momentalisht në Europë, veç Rusia ka sanksione. Ai tha se tash sherri i Albin Kurtit dhe budallaqeve të tij, pritet kësaj liste ti futet edhe Kosova.
“Qe ku na pruni, Luani i Shqiptarisë me gjyks pule”, ka shkruar Syla.
Të mërkurën ‘Euronews Albania’ ka raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Sipas Euronews Albania, faza e parë e sanksioneve do të parashikonte ngrirjen e fondeve të BE’së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit për Këshillin e Evropës, fondet e SHBA’së dhe projekte të tjera të financuara nga perëndimi.
Faza e dytë do t’i shihte aleatët e Kosovës që të merrnin një qëndrim pasiv ndaj fushatës së çnjohjes së Serbisë kundër Kosovës, riorganizimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe reduktimit serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtimit të Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.
Gjithashtu parashihen edhe sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Sveçla, nëse situata në terren përkeqësohet më tej. Kjo mund të përfshijë shpalljen e të dyve si “non grata me justifikimin se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”. /Botapress.info/