Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se Serbia e ka refuzuar kërkesën e tij për ta vizituar Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, “pa asnjë arsye”.
Sveçla ka shkruar në Facebook se “ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”, raporton Gazeta Express.
“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, shkroi ai.
Sveçla shkroi se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, Kosova do të veprojë “mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”.
Ai tregoi se më 29 dhjetor, Nevzad Lutfiu, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar e kishte ftuar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet”, ka treguar ai.
“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye spjegim”, shkroi ministri.