Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) të ushtruar kundër Zyrës së Kryeministrit, lidhur me kërkesën për shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores nr. 15/2024 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në njoftim thuhet se paditësja kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që të shpallë të paligjshme dhe të shfuqizojë dispozitat e neneve 41–46 të kësaj Rregulloreje, duke pretenduar se ato janë nxjerrë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësinë, Ligjin për Shëndetin Mendor dhe Statutin e SHSKUK-së. Sipas paditëses, përmes këtyre dispozitave është rregulluar organizimi dhe funksionimi i Institutit Special në Shtime (ISSH), ndonëse ky institucion nuk figuron si njësi e njohur në legjislacionin përkatës.
“Pas shqyrtimit publik gjyqësor, analizimit të pretendimeve të palëve, si dhe vlerësimit të dispozitave kushtetuese, ligjore dhe nënligjore relevante, Gjykata Supreme konstatoi se kërkesëpadia nuk është e bazuar. Gjykata vlerësoi se Rregullorja është nxjerrë nga organi kompetent, në bazë të autorizimeve kushtetuese dhe ligjore që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për Qeverinë, Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, si dhe legjislacioni përkatës në fushën e shëndetësisë dhe shëndetit mendor”, thuhet n[ njoftim.
Gjykata Supreme thekson se dispozitat e kontestuara nuk krijojnë një subjekt të ri juridik jashtë sistemit ekzistues shëndetësor, por paraqesin rregullim organizativ dhe funksional të një strukture ekzistuese në kuadër të sistemit publik shëndetësor.
Gjykata vlerësoi, po ashtu, se neni 18 i Ligjit për Shëndetin Mendor përbën bazë të mjaftueshme ligjore për rregullimin me akt nënligjor të organizimit dhe funksionimit të institucioneve rezidenciale të përkujdesjes sociale dhe shërbimeve të shëndetit mendor që ofrohen në to.
Sipas Gjykatës, akti nënligjor i kontestuar nuk ka tejkaluar autorizimet ligjore dhe nuk ka cenuar parimin e ligjshmërisë, pasi është nxjerrë në kuadër të kompetencave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë për organizimin e sistemit shëndetësor publik.
Gjykata gjithashtu theksoi se, ndonëse rregullimi i Institutit Special në Shtime mund të ishte bërë përmes një akti të veçantë nënligjor, kjo çështje lidhet me teknikën normative dhe nuk ndikon në ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara.
Ndaj, Gjykata Supreme konstatoi se nuk ekziston bazë juridike për shfuqizimin e neneve 41–46 të Rregullores (ZKM) nr. 15/2024 dhe refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e paditëses si të pabazuar.



Të tjera
Aktuale
SHBA e gatshme për partneritet me Kosovën rreth Gazit të Lëngshëm
E ngarkuara me punë e ambasadës
Aktuale
Hapet aplikimi për 100 euro për punëtorët e sektorit privat
Është hapur aplikimi për subvencionimin e punëtorëve të
Aktuale
Bilanc tragjik në Kosovë: Akoma pa u bërë 24 orë, katër persona humbin jetën
Akoma pa u bërë 24 orë,