Karen Sudkamp, eksperte e çështjeve politike dhe sociale të Lindjes së Mesme, thotë se objektivi i vendosur nga Izraeli për shkatërrimin e Hamasit, do të jetë më i vështirë edhe se fushata kundër Shtetit Islamik.
Nëndrejtorja e divizionit për studimin e operacioneve të sigurisë në organizatën kërkimore RAND Corporation, foli në lidhje me opsionet e mundshme për zhvillimin e konfliktit, pasojat në rajon dhe më gjerë, si dhe nevojën urgjente për të menduar që tani për popullsinë civile dhe për rindërtimin në përfundim të luftimeve.
Zëri i Amerikës: Zonja Sudkamp, tani që Izraeli po vepron me trupa tokësore në Gazë, por në të njëjtën kohë thotë se nuk ka për qëllim pushtimin e Rripit të Gazës, cila mendoni se është strategjia e Izraelit?
Karen M. Sudkamp: Mendoj se nëse shikoni se çfarë kanë thënë deri më tani, për sa i përket shkatërrimit të Hamasit, ka patur shumë diskutime rishtazi se si mund të jetë e ngjashme me fushatën kundër ISIS-it dhe Shtetet e Bashkuara janë treguar shumë konkrete për mospushtimin dhe nevojën për rindërtim. Sidoqoftë do të thoja se Gazës sërish do t’i duhen përpjekje të mëdha për rindërtimin, pas një fushate ushtarake. Kështu që ndoshta Izraeli mendon se OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar do të sjellin ndihma. Ndoshta ky është plani i tyre.
Zëri i Amerikës: A mendoni se Izraeli ka një plan të qartë se kush do ta qeverisë Gazën në të ardhmen?
Karen M. Sudkamp: Mendoj se kjo është pikëpyetja absolute. Mendoj se është e qartë se Izraeli nuk dëshiron që Hamasi të vazhdojë të qeverisë. Megjithatë nuk e di nëse Izraeli do ta konsideronte Autoritetin Palestinez një alternativë më të mirë. Nëse shikojmë alternativat që ekzistojnë: mund të kishin zgjedhje të reja, të cilat mund ta risjellin Hamasin në pushtet; mund të jetë Autoriteti Palestinez që mund ta marrë drejtimin, që ka patur një të kaluar të përzier në Bregun Perëndimor. Por edhe nëse kërkojmë, mund të mos ketë alternativa të tjera. Ose mund të ekzistojë një variant i tretë i panjohur që mund të rezultojë më i keq se me Hamasin apo Autoritetin Palestinez. Pra, nëse Izraeli nuk dëshiron të hyjë dhe të qeverisë dhe duke i hedhur një vështrim edhe aktorëve të tanishëm, mund të mos jetë ajo çfarë Izraeli do.
Zëri i Amerikës: Dhe a jeni e shqetësuar se konflikti mund të zgjerohet drejt vendeve të tjera në Lindjen e Mesme?
Karen M. Sudkamp: Jam e shqetësuar. Mendoj se ky është një shqetësim shumë i madh tashmë për ato çfarë Irani dhe grupet e ndryshme që ai mbështet… Siç e dini, ka patur dhunë përgjatë kufirit me Hezbollahun. Jam e shqetësuar për faktin se ka patur gjithashtu rritje të dhunës nga ushtria izraelite dhe kolonët në Bregun Perëndimor që po zgjerohen. Nuk mendoj se vendet arabe janë domosdoshmërish të interesuara, apo se dëshirojnë t’i bashkohen konfliktit ushtarakisht. Por nëse mendojmë për alternativat e ndryshme dhe gjërat e ndryshme që më shqetësojnë, ky do të ishte një opsion me pasoja të paparashikueshme, në veçanti ndërsa opinioni publik në Lindjen e Mesme është ende i vendosur në mbështetje të palestinezëve, si në Gazë edhe në Bregun Perëndimor. Vendet fqinje arabe mund të mendojnë se në fund të fundit nuk kanë zgjidhje tjetër. Gjë që mund të jetë e komplikuar, duke patur parasysh traktatet mes Egjiptit dhe Jordanisë për shembull, dhe Izraelin. Pra, ky shqetësim është gjithnjë real. Dhe gjithashtu shqetësimi se dhuna në zgjerim mund të tejkalojë (kufijtë) nëpërmjet dhunës nga terrorizmi.
Zëri i Amerikës: Përmendët një lloj përfshirjeje të Iranit, nëpërmjet palëve të treta, por a mendoni se ka gjasa që Irani të përfshihet drejtpërdrejt? Ka shqetësime të mëdha për këtë, në veçanti nga zyrtarët amerikanë.
Karen M. Sudkamp: Mendoj se nëse e shikoni historikisht, regjimi iranian nuk është përfshirë ndonjëherë ushtarakisht me të gjitha forcat. Regjimi iranian e di se ushtria e tyre nuk është aq e fortë, apo me kapacitete të barabarta me izraelitët, amerikanët, apo sinqerisht edhe vendet partnere arabe. Për këtë arsye, mbështet tek mjete jokonvencionale apo grupe terroriste. Pra, mendoj se kjo mund të vazhdojë. Mund të shohim më shumë nga veprimet e përdorura historikisht, lloje të tjera ngacmimesh në Gjirin Persik, apo gjëra të tilla. Por nuk mendoj domosdoshmërisht se regjimi iranian do të dëshironte të përfshihej në mënyra konvencionale në këtë pikë, apo në periudhën afatgjatë, në varësi se si do të shkojnë gjërat. Nuk mendoj se kjo do të ishte një lëvizje shumë popullore brenda vetë Iranit, çka e bën gjithashtu të vështirë.
Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara po shtojnë tashmë sanksionet ndaj Hamasit dhe kanë kërkuar edhe nga vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. A prisni që vendet e tjera të marrin masa në këtë drejtim?
Karen M. Sudkamp: Mendoj se mund të thonë po dhe të bien dakord, por mendoj se pikëpyetja gjithnjë ka qenë se sa do t’i zbatojnë realisht këto sanksione. Mendoj se ekziston pakënaqësi e gjerë për metodat që ka përdorur Hamasi, por në të njëjtën kohë, në fund të ditës sikur bien dakord dhe dëshirojnë të mbështesin popullin palestinez. Gjë që do të ngrinte analizën e raportit të kostos përkundër përfitimit – se cili do të ishte ndikimi tek populli palestinez. Kjo mund të sillte disa shqetësime.
Zëri i Amerikës: Dhe çfarë mendoni për propozimin rishtazi të Presidentit francez Macron për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar, të ngjashëm me atë kundër ISIS-it, që do të ndihmonte me mbledhjen dhe ndarjen e informacioneve të zbulimit, mes vendeve pjesëmarrëse aleate?
Karen M. Sudkamp: Kemi parë se koalicionet janë të dobishme dhe se ndihmojnë në luftën kundër një organizate apo grupi si Hamasi, apo Shteti Islamik. Duke qenë se qeveria izraelite po flet për shkatërrimin e Hamasit, që është gjuhë e ngjashme me atë të përdorur gjatë fushatës kundër ISIS-it, pikëpyetja ime madhore do të ishte se çfarë do të thotë realisht “shkatërrimi i Hamasit” për qeverinë izraelite. Dhe mendoj se duhet gjithashtu të kuptojmë se “shkatërrimi” nënkupton një fushatë shumë intensive dhe se megjithëse fushata kundër ISIS-it shpalli mposhtjen territoriale të ISIS-it, kjo organizatë ende vazhdon. Po, nuk ka territor nën kontroll, por është ende një grup rebelësh terroristë në Sirinë lindore, në mbarë Irakun. Pra, kjo ideja për të shkatërruar plotësisht një grup që ka nivele të ndryshme mbështetjeje popullore, që është rrënjosur në gjeografinë e Rripit të Gazës për mbi 15 vjet dhe për shumë më gjatë si grup, sinqerisht mendoj se është një sipërmarrje shumë më e vështirë, krahasuar me situatën e fushatës kundër ISIS-it.
Zëri i Amerikës: Dhe si e shihni fundin e këtij konflikti, apo është ndoshta tepër herët për të folur për një zgjidhje tani?
Karen M. Sudkamp: Mendoj se jemi ende disi herët dhe është sinqerisht një moment jo i mirë. Siç e thashë, nëse ideja është për “të shkatërruar”, kjo kërkon shumë kohë dhe duhet menduar në mënyrë aktive se çfarë do të ndodhë pasi të jenë ndalur bombat dhe plumbat. Sepse do të ketë nevojë për shumë rindërtim. Do të ketë nevojë për mbështetje për civilët dhe për të rindërtuar ekonomitë, dhe gjithçka të tillë. Mbi të gjitha sipas meje, duhet të mendojmë për të gjitha këto, madje edhe në pikën ku jemi tani, për shkatërrimin që kemi parë në Gazë, dhe situatën përpara se të fillonin sulmet ajrore brenda Rripit të Gazës. Ka shumë punë sociale, ekonomike dhe politike që duhet bërë gjithashtu pas luftimeve. Shpresa ime është se njerëzit po mendojnë në mënyrë aktive për këtë dhe jo vetëm se thjesht duan të shkatërrojnë Hamasin dhe të lënë pas rrënoja dhe shkatërrim.