Deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi se ka refuzuar një ftesë të Bashkimit Evropian për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe akuzat ndaj emisarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u cilësuan si të papranueshme. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se kjo ftesë nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takim, raporton Gazeta Sinjali.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Stano tha se Bashkimi Evropian po përpiqet që të gjejë një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.
Ai e përsëriti se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke paralajmëruar se qëndrime të tilla nga ana autoritetet kosovare, e distancojnë Kosovën nga perspektiva evropiane.
“BE-ja dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kundërproduktiv dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut.
Qëndrimi jokonstruktiv nga ana e autoriteteve kosovare, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”, paralajmëroi ai.
Më lejoni të përsëris edhe një herë se dialogu është platforma e vetme për të gjetur zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – thuhet tutje në përgjigjen e Stanos për Sinjali.
Kjo përpjekje siç tha Stano, do të duhej të vlerësohej nga Bislimi, e jo të akuzojë zyrtarët e BE-së – duke e quajtur këtë sjellje të papranueshme.
“Shpresojmë që z. Bislimi do ta vlerësonte përpjekjet, në vend që në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Stano.
Stano po ashtu e konfirmoi se BE-ja e ka ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për këtë çështje, takim ky që parashihet të mbahet më 27 shkurt.
“Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është takuar me presidentin serb, Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti në Mynih fundjavën e kaluar, ku është diskutuar kjo çështje. Në vijim të këtyre takimeve, Lajçak ka ftuar dy palët të vijnë në Bruksel të martën, më 27 shkurt.
Mirëpo, në letrën e ftesës nga Lajçak nuk është specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbisë – kjo është lënë në dorë palëve.” – thuhet në përgjigjen e Stanos.
Ndryshe, Bislimi deklaroi dje se me dërgimin e kësaj ftese, Lajçak ka shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, për një takim pa pajtim paraprak me palët.
Kujtojmë se edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, pasi mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së.