Ka disa muaj që Lulzim Hetemi po qëndron i ngujuar në detyrën e tij si kryetar i Leposaviqit. Flokët e tij të rritura janë bërë simbol i rezistencës. Por në këtë mision atdhetar Hetemi duket se është i rrethuar nga njerëz të afërt me pushtetin serb.
Marko Jabllanoviq është emëruar zyrtar i lartë në komunën e Leposaviqit. Marko është vëllau i Aleksander Jabllanoviqit, ish-Ministri për Kthim dhe Komunitete i Qeverisë së Kosovës që i pati quajtur egërsira protestuesit në Gjakovë në kohën kur ata protestonin ndaj një deklarate të tij.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Marko Jabllanoviq është i ngarkuar me disa vepre penale. Ndër të tjera ai ishte arrestuar në vitin 2017 në Kralevë në një veturë zyrtare të Qeverisë së Serbisë. I njohur me nofkën “Divljak”, zyrtari i Lulëzim Hetemit ishte arrestuar për shitblerje të 2.8 kilogramë narkotikëve.
Pas arrestimit të tij, Aleksander Jabllanoviq atëkohë sekretar shtetëror në Serbi kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Marko Jabllanoviq ishte i pranishëm edhe në takimin e fundit të Komunës së Leposaviqit ku mori pjesë edhe zv.ministri Arbër Vokrri.
Indeksonline ka kontaktuar drejtorin Hetemi, shefen e kabinetit Shqipe Latifi, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur për pozitën që i kanë ofruar vëllaut të zyrtarit që dikur Lëvizja Vetëvendosje organizonte protesta masive me dhjetëra të lënduar e mijëra euro dëme materiale.
Indeksonline ka provuar të kontaktojë me Lulzim Hetemin si dhe ministrin, Elbert Krasniqi, mirëpo të njëjtit nuk i janë përgjigur thirjeve telefonike.