Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të akuzuarit Naser Pajazitaj dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, duhet që të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, PKR.nr.9/20 i datës 7 korrik 2021, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Ferizaj, i akuzuari N.P. është shpallur fajtor për shkak të veprave penale vrasje e rëndë të Donjeta Pajazitajt, nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafët 4 dhe 12 të KPRK dhe dy veprave penale mbajtja në pronësi, kontrollë apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK, ndërsa për shkak të këtyre veprave penale, ndaj të akuzuarit në fjalë është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm.
Me qëllim të informimit sa më të drejtë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje penale, në shtojcë të kësaj komunikate gjendet aktgjykimi i anonimizuar i Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Mbrojtësit e të akuzuarit N.P., Gëzim Kollçaku, av. Ymer Beka dhe av. Ahmet Tahiri, përkitazi me këtë bazë ankimore në ankesën e tyre të përbashkët pretendojnë se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nën par. 12 dhe par. 2 nën par. 1 e lidhur me nenin 370 par. 4 dhe 7 dhe nenit 365 të KPPK-së, me arsyetim se gjykata e shkalles se parë, nuk ka përpiluar aktgjykimin në përputhshmëri me dispozitat e nenit 370 të KPPK-se, dhe atë duke marrë parasysh sidomos, faktin se gjykata nuk ka paraqitur në mënyrë të qartë provat me të cilat ka konsideruar se vërtetohet fajësia e të akuzuarit N.P., ashtu që e njëjta – pra, gjykata e shkallës së parë, fare nuk e ka marre parasysh as që e ka përmendur dhe arsyetuar se me cilat prova vërtetohet fajësia e te akuzuarit Naser Pajazitaj./Botapress.info/