Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar për “paralizim funksional” të transmetuesit publik, pasi nga llogaritë e institucionit janë tërhequr rreth 1 milion euro përmes veprimeve përmbarimore, duke e lënë RTK-në pa mjete operative financiare.
Përmes një reagimi, Sindikata ka thënë se RTK-ja po përballet me “rrezik real për paralizim funksional”, duke vlerësuar se mungesa e mjeteve financiare nuk rrezikon vetëm funksionimin e institucionit, por edhe rolin e tij si mekanizëm esencial i informimit publik në Kosovë.
Sipas SPERTK-së, është shqetësuese që një institucion me rëndësi publike dhe kushtetuese të vihet në situatë ku, siç thuhet, vihet në pikëpyetje funksionimi bazik, siguria e qindra punonjësve dhe vazhdimësia e misionit publik ndaj qytetarëve.
Sindikata theksoi se nuk e konteston zbatimin e ligjit dhe procedurat gjyqësore, por kërkoi sqarime nëse gjatë procesit janë respektuar parimet e proporcionalitetit dhe interesit publik, duke pasur parasysh pasojat ndaj transmetuesit publik.
Ajo i bëri thirrje Gjykatës Supreme dhe institucioneve kompetente që urgjentisht ta trajtojnë rastin dhe të vlerësojnë nëse procedurat e ndjekura kanë qenë në përputhje me mbrojtjen që duhet ta kenë institucionet me rëndësi të veçantë për shtetin.
SPERTK ngriti edhe pyetjen se si është lejuar që RTK-ja të shkojë në prag të bllokimit financiar pa mekanizma mbrojtës nga institucionet përgjegjëse.
Në fund, Sindikata paralajmëroi se pasojat e situatës mund të jenë të rënda jo vetëm për punëtorët e RTK-së, por edhe për funksionimin e transmetuesit publik të Kosovës.



Të tjera
Lajme
Tre të lënduar në një aksident mes motoçikletës dhe këmbësorëve në Prishtinë
Një aksident trafiku me lëndime ka
Lajme
Arrestohet një person në Pejë për përmbajtje abuzive ndaj fëmijëve në internet
Një person është arrestuar në Pejë
Aktuale
Kurti në Han të Elezit: Mos me t’u njoftë fitorja e mos me t’u pranu rezultati tregon që i kemi disa sfida si shoqëri
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka