E diela e 27 mars u shënua me zhvllime interesante në Kosovë. Mëngjesi i kësaj dite vikendi nisi me arrestimin e kosovarit Abaz Beqirajt i cili u arrestua nga Policia e Serbisë.
Rruga Abazit iu ndalë në mes kufirit Hungari-Serbi gjersa po kthej për në vendlindje me një kompani turistike.
Abaz Beqiraj nga Deçani kishte qëndruar në Gjermani tek i biri për dy muaj.
Ky lajm është konfirmuar nga e bija e Beqiraj me emrin Melihate.
“Baba ka qenë për vizitë tek djali. Sot në 8:30 ka qenë në kufi me Hungarinë dhe Serbinë. Ka qenë t’u ardhur me autobus dhe ata na kanë lajmëruar se policia serbe na kanë arrestuar babin”, ka thënë ajo, njoftoi Klan Kosova
Ajo raportohet të ketë thënë se kishin provuar të kontaktonin edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, po ky kontakt nuk ishte realizuar.
Sipas kompanisë ndërkohë, arsyetimi i Policisë serbe ishte një dënim i vitit 2010 për z. Abaz Beqiraj, por pa kuptuar se për çfarë dënimi bëhej fjalë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka lëshuar një komunikatë pas arrestimit të kosovarit Abaz Beqiraj nga Policia e Serbisë.
Në këtë komunikatë thuhet që “Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe”.
Por cka ndodhi tjetër të dielen në Kosovë?
Gjatë të së dielës kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka nderuar dhe ka vendosur lule para lapidarit të të vdekurve të familjes Rama nga fshati Shkabaj i Obiliqit për të kujtuar sakrificën e tyre për liri.
Kryetari i Kuvendit tha se dëshmorët dhe të gjithë ata të cilët kontribuuan për liri garantojnë themelet e forta të shtetit tonë.
Ai tha se rënia e familjes Rama, 23 vite më parë, ishte vazhdimësi e sakrificës së familjes Jashari.
“Jemi mbledhur ta kujtojmë rënien e lavdishme të familjes Rama. Kjo sakrificë është ma e larta për atdhe, që njeriu mund ta mendojë. Burra e gra kanë luftuar për lirinë e fëmijëve tanë dhe të brezave të ardhshëm. Shembulli i familjes Rama na dëshmon se kurdo që atdheu është në rrezik nuk kursehet asgjë, e madje as vetë jeta”, deklaroi kryetari Konjufca.
Forcat okupatore serbe masakruan dhjetë anëtarë të familjes Rama nga fshati Shkabaj i Obiliqit më 27 mars 1999.
Kurse një ngjarje tragjike ka ndodhur në mesditën e të dielës.
Një serb nga Kosovë dyshohet t’i ketë marrë vetes jetën në komunën e Zveçanit mbrëmjen e kaluar.
Në vend të ngjarjes, siç njofton Policia, u gjet edhe një letër lamtumirëse dhe një armë zjarri.
Kurse në kryqytetin e Kosovës në Prishtinë sot është djegur një autobus. Flakët kanë përshkuar pothuajse krejt trupin e autobusit, i cili nuk duket të jetë pjesë e trafikut urban.
Gazeta Nacionale ka siguruar pamje nga momenti kur zjarrfikësit kryen detyrat e tyre duke eliminuar në tërësi zjarrin që erdhi si pasojë e djegies së autobusit të njërës prej linjave urbane të kryeqytetit.
Ndërkohë, kryengjarja në shtetin fqinj në Mal të Zi ishin zgjedhjet lokale në dy komuna të Malit të Zi, në Ulqin dhe Beran.
Sipas rezultateve të deritanishme partia “URA” të cilën e drejton Dritan Abazoviq fitoi 15 mandate, respektivisht shumicën e plotë në komunën shqiptare, që tashmë kryetar do ta ketë Omer Bajraktarin, përcjell Gazeta Nacionale.
Pas fitorës në Ulqin, Abazoviq i cili është edhe i mandatuar për formimin e qeverisë së re atje, është parë tejet i ngazëllyer.
Ndërkaq, as ky vikend nuk kaloi pa u komentuar mbi refuzimin e Qeverisë së Kosovë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës.
I dërguari special i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Steuart Peach ka folur rreth këtij.
Në një intervistë për gazetë malazeze “Vijesti” Peach ka thënë se ka mbetur i zhgënjyer nga lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi për lejimin e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.
“Është e qartë se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë, mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar në këtë rast vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”