Në një konferencë për media të mbajtur më 3 shtator të këtij viti, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në mënyrë të vazhdueshme e kishte përsëritur se nuk pranon të takohet me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn, meqë nuk e konsideronte si diçka ligjore dhe theksonte se nëse e takon prishet rregulli në shtet.
Teksa e potenconte këtë, Kurti thoshte se pranon të takohet vetëm kreun e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Atdhe Hykollin, dhe ritheksonte se s’takohet dot me Rrahman Jashrajn, të cilin edhe kujdesej ta godiste për raportet në të kaluarën me ish-udhëheqësit e shtetit.
Kryeministri Kurti zbulon 3 ofertat e Qeverisë në këmbim të ndaljes së grevave
“Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu ska rregullsi.Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara. Në përputhje me buxhetin e shtetit ne do të marrim masat tona”, kishte deklaruar Kurti në konferencën e para një jave.
Megjithatë një javë pas këtyre fjalëve të forta që s’pranon të takohet me Rrahman Jashrajn, kryeministri Albin Kurti lëshoi pe dhe ka pritur në Qeveri kreun e SBASHK-ut.
Takimi ka rezultuar pa marrëveshje, meqë SBASHK-u ka mbetur i palëkundur në kërkesën për 100 euro, derisa oferta e Qeverisë për 50 euro dhe për përfshirje në diskutim për projektligjin për pagat s’ka qenë e mjaftueshme për SBASHK-un.
Edhe gjatë kësaj konference, Kurti ka qenë mjaft i tensionuar pas takimit me Rrahman Jashrajn, grevën e të cilit po e konsideron edhe si shantazh.