Refuzimi i Vetëvendosjes për të hetuar subvencionin e rrymës ka unifikuar partitë opozitare të përfaqësuara në Kuvend. PDK, LDK dhe AAK lëshuan sallën e Kuvendit sot pasi s’kaloi propozimi që të futet në rend dite formimi i Komisionit Hetimor për energjinë.
Lëvizja Vetëvendosje, refuzoi që të iniciohet formimi i një Komisioni Hetimor parlamentar që do të hetonte subvencionimin e energjisë nga ana e qeverisë që udhëhiqet nga kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Partitë opozitare kanë deklaruar se s’do të votojnë asnjë ligj në Kuvend derisa Vetëvendosje të votojë pro formimit të Komisionit Hetimor parlamentar për energjinë.
Kreu i PDK-së tha se bllokimi nga ana e shumicës parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike është shkelje brutale e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës nga mazhoranca dhe qeveria Kurti.
“Kryeministri Kurti, përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për herë të dytë sot, e bllokoi miratimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me krizën energjetike në vend, duke shkelur haptas ligjin dhe Kushtetutën, diçka që tashmë është bërë traditë dhe praktikë e këtij Qeverie. Por, përkundër këtij insistimi të këtij pushteti për ta mbajtur fshehtë krejt atë që ka ndodhur për muaj të tërë, sot ju themi se arroganca e numrave të pushtetit nuk mund ta ndaloj nxjerrjen në dritë të së vërtetës.”, theksoi ai.
Kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia që drejto s’do t’ia bëjë kuorumin pozitës derisa të formohet Komisioni Hetimor.
“Sot ndodhi ajo që nuk do të duhej që të ndodhte. Pra Qeveria e pengoi Kuvendin që të formojë themelimin e një Komisioni Hetimor lidhur me subvencionimin e energjisë. Aleanca nuk do të marrë pjesë në asnjë votim për t’i bërë kuorumin shumicës deri në themelimin e këtij Komisioni që u refuzu sot”, tha ai.
Edhe Abdixhiku ka thënë poashtu se pa themelimin e Komisionit Hetimor në Kuvend, LDK s’do ta përkrahë asnjë nismë tjetër parlamentare.
“Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë – asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Vetëvendosje pas refuzimit për ta përkrahur formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar u arsyetua se pas braktisjes së seancës nga ana e opozitës dështuan që votohen disa marrëveshje ndërkombëtare.
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, thirri një konferencë për media ku tha se opozita po dëshironte të formonte komision hetimor në kundështim me ligjin për hetim parlamentar.
Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor të vitit 2021 kishte miratuar masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.
Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.
Megjithatë, në fillim të prillit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke vendosur masë të parakohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje.