Në prag të njëvjetorit të shkarkimit të tij nga kreu i BFI-së, ka folur në një intervistë ekskluzive për Tetova Sot, ish-reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi. Ai veç tjerash, ai flet edhe për zhgënjimin e vet nga bashkëpunëtorët, të cilët, duke menduar se janë të sinqertë e të devotshëm, i kishte imponuar në opinion si ajka e islamizmës në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që, që të gjithë i kishin dalur të jenë bashkëpunëtorë të DBK-së maqedonase (ish-UDB-së)!
“Myslimanët e vendit janë dëshmitarë të gjallë për faktin që, asnjë subjekt, asnjë faktor, asnjë institucion nuk pësoi aq shumë goditje, aq shumë përpjekje për destabilizim dhe rrënim, aq shumë projekte dështuese për të depërtuar në këtë Institucion struktura të padëshirueshme dhe të rrezikshme, pra, nuk ka asnjë Institucion në vend që u sulmua më shumë se Bashkësia Fetare Islame! Tre dekada post-komuniste i rezistuam me sukses, i demaskuam të gjitha përpjekjet e ulëta, i demaskuam dhe i zbrapsëm të gjitha strukturat që insistonin të vënin kontroll dhe dirigjim në Institucionin tonë! Goditjet ishin të njëpasnjëshme! BFI-ja u bë objekt studimi edhe nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë! Sa më shumë që na sulmonin aq më të fortë dilnim, aq më unikë dhe aq më të përkrahur nga faktori ndërkombëtar! Duhet ta pranojmë një fakt: shqetësuese është se, këto lojëra të strukturave të dyshimta antiislame gjithnjë u luajtën nga “myslimanët” e vendit dhe asnjëherë bartës të këtyre projekteve nuk dolën jo-myslimanët!
Tani, çfarë ndodhi! Tridhjetë vite isha lavdëruar me bashkëpunëtorët e mi, me lojalitetin e tyre, isha mburrur me papërkulshmërinë e tyre, me besnikërinë dhe sinqeritetin e tyre dhe, në fund, pikërisht prej tyre m’u ngul thika pas shpine! Sepse, paskam qenë i keqi, sepse, paskam qenë i mëkatshmi, sakaq, paskam shkelur Nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së… Po bashkëpunëtorët e mi të cilët, një javë më parë më kishin thurrur aq shumë elozhe në deklarata televizive sa nuk e dija se për kë po flasin, për mua apo për ndonjë figurë historike kombëtare e fetare? Po bashkëpunëtorët e mi të cilët, brenda natës i përgjigjen strukturave të caktuara policore për t’u tubuar dhe për të vepruar ashtu siç do të kërkojë përfaqësuesi i këtyre strukturave, Shaqir Fetai? Ky që më kishte shërbyer gati tre dekada rresht! Tani, të gjithë të dalin të mirë në sy të popullatës dhe vetëm unë të shpallem i keqi, madje prej atyreve që më kanë shërbyer “me besnikëri” dhe, në fund, ta gëzojnë përkrahjen e popullit? Unë kam vizita, kam takime, kam bisedime të përditshme me miq e myslimanë që nuk i njoh por që shprehin interesim për mua dhe, të gjithë më shohin si viktimë të një strategjie të dalur nga strukturat e DBK-së! Ndërsa ish-bashkëpunëtorët e mi, që të gjithë vlerësohen si bashkëpunëtorë të DBK-së, e cila, me një isharet të vogël arrinë që t’i mbledh në Gostivar, këta anëtarët e “Rijasetit”!
Këta, që masovikisht dhe tmerrësisht urrehen nga popullata, nuk mund ta shpëtojnë BFI-në, porse, po e fundosin ditë e më shumë, sepse, popullata ka shkëputur kontaktin me ta dhe, kjo shkëputje interpretohet me refuzimin për t’ua mirëmbajtur burimet financiare! Bartësit e një aksioni puçist e komplotist, asnjëherë nuk janë duartrokitur dhe nuk janë pritur me lule. Ata përfundojnë aksionin dhe, me marrjen fund të misionit të tyre, “zhduken”! Dëshmitarët e misioneve të rrezikshme për imazhin e shhtetit nuk janë të dashurit e strukturave sekrete. Spostohen diku, margjinalizohen tërësisht, duke pasur probleme me zemrën, me tensionin, veshkat… Fundi, gjithësesi që, do të jetë tragjik!”, thotë efendi Rexhepiu!