Gjykata Themelore në Gjilan i ka dënuar me burgim dhe gjobë dy të akuzuarit Bujar Haziri, Besfort Abazi për kryerjen e veprës penale trafikim me njerëz. Ata akuzohen se të njëjtit në dy lokacione të ndryshme në një motel dhe një kafeteri e kanë trafikuar një grua me qëllim për ta shfrytëzuar seksualisht. Gazeta Sinjali ka raportuar në vitin 2021 lidhur me këtë rast, për të cilin Gjykata ka shpallur aktgjykimin.
Njeriu i afërt me VV-në zgjidhet drejtor i televizionit të RTK-së
Sipas gjykatës, “gjatë vitit 2021 në bashkëveprim në dy lokacione të ndryshme në Motel në fshatin Domorovc, Komuna Ranilluk dhe në kafeterinë në fshatin Dobërçan, Komuna e Gjilanit, e kanë trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual të dëmtuarën A. H. nga Komuna e Istogut, duke e ditur gjendjen e saj të rëndë ekonomike-sociale, në atë mënyrë që e njëjta të ofroj shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm”.
“Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale trafikim me njerëz, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Trupi gjykues nga Departamenti Krimeve të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve, duke i shqiptuar dënim burgu në kohëzgjatje prej tre vjet (3) dhe gjobë 300 (treqind) Euro, për secilin veç e veç”, thuhet në komunikatë.
Në dy muajt e parë të këtij viti, Bujar Haziri dhe Besfort Abazi, dyshohen se e kanë trafikuar një femër (emër i njohur për redaksinë) me qëllim të shfrytëzimit seksual, në ish-motelin “Demi” në fshatin Malishevë të Gjilanit, si dhe në motelin “Amfora”, të fshatit Domorovc, në komunën e Ranillugut.
Fillimisht i dyshuari Bujar Haziri e kishte telefonuar viktimën dhe më pas e kishte dërguar në një kafeteri të fshatit Dobërqan të Gjilanit, ku aty janë takuar me të dyshuarin Besfort Abazi. Ky i fundit dyshohet se e ka marrë viktimën nga aty dhe bashkë me të dyshuarin tjetër Hajrulla Bejta e kanë dërguar në motelin “Amfora”.
Viktima së pari dyshohet se ishte detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me Besfort Abazin. Në dhomën ku dyshohet se ndodhi ngjarja, më pas kishte hyrë Hajrulla Bejta, i cili po ashtu dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, pa dëshirën e saj. Pas reagimeve të viktimës, dyshohet se Bujar Abazi i ka dhënë asaj 20 euro.
Të njëjtat burime njoftojnë për Sinjalin se një ngjarje e tillë dyshohet të ketë ndodhur edhe në mes të muajve maj e qershor të këtij viti. Në dy motelet që u përmendën më lartë, Bujar Haziri dyshohet se e ka trafikuar viktimën, ndërsa i dyshuari Besfort Abazi kishte kryer disa herë marrëdhënie seksuale me të. Për këto shërbime, Abazi dyshohet se e kishte paguar Hazirin.
Prokuroria Themelore në Gjilan po kërkon masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve, pasi që sipas tyre ekziston edhe baza ligjore, si dhe të njëjtit nuk duhet të qëndrojnë në liri pasi mund të ndikojnë te viktima.