Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në Prishtinë ka arrestuar një 45-vjeçar me inicialet I.G., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’, shkruan Gazeta Botapress.info
Sipas njoftimit të tyre i arrestuari dyshohet se ka poseduar foto dhe video me përmbajtje abuzuese seksuale me fëmijë, të cilat më pas i ka shpërndarë edhe me persona të tjerë përmes komunikimit online.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas pranimit të informatave paraprake dhe hetimeve të zhvilluara kanë identifikuar një person të dyshuar, për të cilin dyshohej se kishte konsumuar veprën penale ‘keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’”, shkruhet në njoftimin e Policisë.
Policia nga i njëjti ka sekuestruar një telefon celular dhe një laptop. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë./Botapress.info