ÇKA KISHA DËGJUAR PREJ PLEQËVE…?!
Haxhi Tahir, deshta të pyes diçka për verrat e Llukës?
“Për Verrat e Llukës, po pyet foli haxhi Tahir Abazi dhe desh të largohej. U ndal me shikoi me habi. “Baba haxhi!” , ndërhyra unë. Dikur këtu ishin shelgjet dhe dërrasat për tu ulur ndanë jazit. Sot ato nuk egzistonin. Ai u hamend dhe u ul në një gur. Po bisedonim përballë kullës së tij. “Mos më pyet” dhe ngriti dorën. “Kohë e keqe ka qenë. Ka qenë Milani i vogël, që shkonte dhe vinte në të gjitha odat e kuvendit”. Milani i vogël, u habita unë. “Milani i vogël i thojshin.” Si fliste ai, e pyesja. “Shqip, si unë dhe ti, përgjigjej haxhi Tahiri. Përherë në këto troje janë end njerëz si hije që kanë hy e kanë dal nga kanë dashtë. Ato ishin hije të këqia të këtij vendi. Këtu gjithmonë diçka është përzi. Askush nuk e dinte qëllimin e vërtetë! Ai ka dhënë dhe ka marrë me parsimin?! Prandaj nuk janë arritë synimet, që ka pasur Kuvendi te Verrat e Llukës, apo psh edhe të Neutralin e Junikut etj, sepse përherë njerëzit tanë kanë hanger me dy lugë, por edhe dora e huaj na ka ndejtë mbi krye. Kështu flisnin pleqtë. Beglerët e zotërinjtë gjithmonë kanë qenë të lidhur me pushtetin.” bisedë e zhvilluar në vitin 1988
Nga ta filloj këtij shkrimi? Nga kjo situata e sotme, zezonë pandemie a politike?! Shumë gjëra kanë humbur kuptimin e tyre. Sikur gjithçka ka shkuar në fund! A kemi nevojë sot për pajtim? Nuk di sa do të jemi në gjendje të marrim mësim nga e kaluara? Nga pajtimi apo nga vëllavrasja? Nga gjakmarrjet, apo? Krerët e kuvendeve të kaluar më shikojnë më mëri. Kush jam unë që merrem me ta? Me ato kulla të moçme, që u bënë strehë nëpër shekuj për krerët e shqiptarisë, këtu në Llukë të Epërme në vitet e pajtimit! Kullat që niseshin nga Mulliri i Thaqit e vazhdonin te kulla e Nimon Demës, Rrustem Llukës, Kaçorrit, Mulazmonëve dhe deri te Qosi. Pastaj Bregu i Llukës, pranë blirëve të moçëm te varret e vjetra. Ura e haxhilerëve apo Pisha shekullore e fshatit Llukë e Poshtme. Mulliri dhe vajavica e Ali Mehmetit, e Rrustem Llukëve, këndej nga Ura e Demës.
“Kjo familje merrej me tregti Prizren-Shkodër për të siguruar kripën, sheqerin, kafen, vajgurin dhe gjëra të tjera për jetë për banorët e këtyre anëve”, fliste Himë Lybeniqi. “Në këtë mulli qe prodhuar edhe barot për lufta të ndryshme. Pra, mashkujt e shtëpisë Ali mehmetit siguruan barot edhe për betejën, që u bë të Rrazhga e Isniqit, kur luftonin fiset Gash e Shalë. Ata dolën në mbrojtje të shalës së Isniqit dhe qitën pushkë dhe thanë: Ne nuk mund të luftojmë krah për krah me juve, por do të t’ju furnizojmë me barotë, nën plaf. Shala si shpërblim i dhanë hise në bjeshkën e Isniqit në Pleqe. Kohë të largëta dhe të harruara kanë qenë këto…”, Bisedë e zhvilluar me Himë Lybeniqin (pjesmarrës i Kuvendit të Llukës), në janar të vitit 1979…
TRADITA E MËSIMIT SHQIP NË MEJTEPIN E LLUKËS SË EPËRME
“Mektepi” i Tahir Efendi Llukës, në Llukën e Epërme, ishte hapur në vitin 1900. Për në atë kohë ajo ishte një ndër shkollat e para të kësaj ane. Edhe pse këto nuk ishin shkolla të mirëfillta kombëtare shqiptare, ngase kryesisht merreshin njohuri për mësim besimin fetar islam, që vetvetiu kuptohet, se në to mësimet i ndiqnin shqiptarët e besimit islam, mektepet kanë rëndësinë e vet në kultivimin e dashurisë ndaj gjuhës shqipe dhe për ruajtjen e saj dhe, në mungesë të shkollave të tjera, ato u shndërruan në shkolla popullore.
Tahir Lluka, ishte intelektual i shquar i kohës, i pajisur me dije fetare të larta, njohës i mirë i gjuhëve orientale dhe i letërsive të atyre gjuhëve. Njihet sidoms me alfabetin e tij. Këtë e dëshmoi edhe me veprimtarinë e tij krijuese në gjuhën shqipe dhe me përkthimet nga arabishtja e osmanishtja. Se ishte intelektual i madh, dëshmon e dhëna, se ai për një kohë ishte ligjërues në Fatih (shkollë e lartë islame) të Stambollit, në kohën kur rektor i Universitetit të Stambollit ishte Hoxha Tahsini.
Vjershërim autentik i Tahir Efendi Llukës:
“Merrni vesh ju gjith Shqipni jav marova temel t’ri
ky mas pari permu knue n’katund tem me shum oda,
krejt çaxhir me çereç djem e çika
per me knue ket temel t’ri…”
Këto dhe shumë shënime të tjera i ka përshkuar në shqipet me alfabet arab Zeqir Bajramin nga Lluka e Epërme, i cili ishte marrë me dorëshkrimet e Tahir Efendi Llukës, të cilat sot ndodhen në Arkivin e Kosovës, “Fondacioni Lataj”. Ai përveç përshkrimeve të veprave të Tahir Efendisë, kishte shkruar edhe vepra origjinale, rreth formës së jetesës në këto anë dhe mbi moralin etj.
ARSIMIN SHQIP DHE PUSHKA
Në ato kohë, arsimin dhe atdheun i ka mbrojt pushka e luftëtarëve të lirisë…
Ah, Shypni, mos thuj mbarova,
Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!
N’kamb asht çu e rrebt Kosova
E ban luftën ball për ball…
E n’Prishtin’ atje pik’ s’parit
Krisi topi me duhi,
Atje gjaku i shqyptarit
Ra në tok’ me bi përsri…
Vite të rënda e të vështira. Njerëzit tanë kishin nevojë shpirtërore që të mblidheshin në Kuvend dhe të bënin pajtimin e gjaqeve, se ndryshe nuk mund të luftonin me turq e me shkije. Duke e pasur shpinen e pasigurt nga gjakmarrja dhe vllavrasja përherë në këto troje janë bërë përpjekje për zhdukjen e këtyre adeteve të këqia. Prandaj ata prej cepit në cep të vatanit u mblodhën te Verrate Llukës për të bërë Pajtimin e gjaqeve dhe nagatrresave, të cilat mbretëronin në këto troje.
HISTORIA E TUBIMEVE TE VERRAT E LLUKËS
Kuvendi i Besëlidhjeve të njohura shqiptare daton shumë herët dhe kjo Besëlidhje e Kuvendit te “Verrat e Llukës” na kujton Beslidhjen e Lezhës dhe kohën e Skënderbeut dhe Lekë Dukagjnit. Kuvende të tjera që janë mbajtur kudo nëpër shqiptari për t’i dalë zot vatanit, duke falë gjaqet dhe ngatrresat, të cilat shpesh herë kanë penguar luftën e madhe që bëhej për lirinë e këtyre trojeve. Tubimi “Kuvendi te Verrat e Llukës” ka një histori të të veçant. Një kuvend i tillë është mbajtur edhe para Lidhjes së Prizrenit dhe besës së madhe në Lidhjen e Pejës. Aq sa njeh historia një kuvend i njohur është mbajtur me 1903, por pak më i njohur është Kuvendi i vitit 1910, në kohën kur po shpërbëhej Perandoria Osmane. Kosova përherë ishte në luftë. Ajo kishte humbur trojet e veta në Nish dhe Prokuplje, sepse turqit, sikur po iu dorzonin “kusurin” dhe “borxhin” serbëve dhe rusëve, në atë luftën madhe të vitit 1876. Është e njohur se atje serbët pushtuan mbi 700 fshatra dhe qytete.
Prej Prokupljes deri në Nish
Na u mbush fusha plotë dervish…
Ço Zeqir bajrakun
S’mund po e luej prej gjakut..
Rapsodët Dervish Shaqa e Demush Neziri do ta ngrisin zërin e tyre në këngë për gjithë këto padrejtësi të Serbisë së parë…
ISH NJË DITË NDËR MË TË VËSHTIRA ME 1910 (1990)
“Secili vit më i vështirë se tjetri”
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve për çlirim nga Serbia ishte edhe përpjekja e intelektualëve dhe akademikëve të “Krahinës Atonome të Kosovës”, e cila ishte rrënuar nga gishtat e disa deputetëve shqiptarë, të Kuvendit të atëhershëm, të cilët të friksuar apo me vetëdeshirë kishin nënshkruar për heqje autonomie? Kosova ishte e rrethuar nga tanket serbe në mars të vitit 1989, për të rrënuar gjithçka shqiptare, që frymonte në atë kohë (23 mars 1989). Apeli i 215 intelektualëve (21.02.1989), që iu drejtua organeve më të larta jugosllave, për të njohtuar për padrejtësitë, që iu bëheshin shqiptarëve, hasi në vesh të shurdhër. Por intelektualët shqiptar nuk ndenjën duarkryq. Filluan aksionin për pajtimin kombëtar. Aksionin për faljen e gjaqeve. Ata me ndihmën e profesor Anton Çettës, Zekirja Canës, Azem Shkrelit, dom Lush Gjergjit, hoxhë Kakrrutit, Ajni Ramadanit, Bajram Kelmendit dhe shumë profesorëve të tjerë dhe figura të njohura të asaj kohe vendosën, që te Verrat e Llukës të mbajnë Kuvendin e Madh historik, ku u tubuan mbi 500.000 veta, për t’i dalë zot shqiptarisë. Gjaqet e ngatrresat iu kish varë në qafë djalërisë shqiptare, e cila një ditë, gjithë këtë duhi do ta kurorizonte me kryengritjen e madhe gjithpopullore të prirë nga UÇK-ja, e cila u bë mburoja e parë e vatanit, deri në çlirimit të plotë të Kosovës të ndihmuar nga trupat e Nato-s dhe SHBA-ja- qershor 1999.
Madhështia e ”Aksionit për pajtimin e gjaqeve” dhe ”Lëvizjës për pajtimin e gjaqeve” e u pa më 1 Maj 1990 në Verrat e Llukës, ku u mblodhën rreth gjysmë milioni shqiptarë. Ky ishte një tubim i përmasave epike…ku brenda disa orëve u falën 66 gjaqe, ndërkaq në Kosovë dhe gjithëandej në Trevat ku ka shqiptarë (Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë…) u falën mbi 1 mijë gjaqe…
Dikush thoshte se, Falja e gjaqeve, nisi në Lubardhë të Deçanit por faktet flasin se falja e gjaqeve nisi në Raushiq.
Profesor Anton Çetta, në Pajtimin e gjaqeve në Raushiq, Pejë
Ndoshta ju keni dëgjuar për këtë ”Misionin” tonë, për këtë ”Aksionin” tonë, thanë disa të rinj. Aksione që kanë qenë të përsëritura herë pas here në historinë e shqiptarëve, m’u atëherë kur ka qenë gjendja më e vështirë, kur kanë thënë:
– Hajdeni burra, po bajmë diçka!
M’u në drjetimin e pajtimit të gjaqeve.
E di! M’ka ra më ndie në kohën e Lidhjës së Prizrenit (1878), Sylejman Agë Vokshi – ka qenë si njëfarë ministri i ushtrisë, që e kishte sigurinë në dorë dhe me një anë ka pasë ndalue të gjitha gjaqet, besë-lidhjet, kanë qenë të pazbatueshme e as gjakmarrja e në anën tjetër ka formue edhe Islihatin (Pleqësia për Pajtimin e Gjaqeve)!” – tha prof. Anton Çetta.
PERVJETORE NDËR VITE
Ky pervjetor do të na kujtojë shumë pleqë, burra dhe nëna shqiptare, të cilët e shtërnguan zemrën për hirë të shqiptarisë. Falen gjaqet. U kënduan këngë nga Shkurte Fejza dhe shumë këngëtarë të tjerë që ia dhanë ngjyrën artistike këtij Kuvendi.
Jehonin bjeshkët dhe oshëtinte Lumi i Bardhë:
“Besa, besë, besën ta kamë dhanë, për Kosovë, jetën dojmë me dahnë”. Aty kishte mbi një gjysmë milioni njerëz. Prof Anton Çetta, Shkurte Fejza, prof dr. Zekirja Cana, hoxhë Kakrruti, Dom Lush Gjergji, hoxhë Ajni Ramadani, prof Ramiz Kelmendi, prof Azem Shkreli, prof Din Mehmeti, prof Bardhyl Qaushi, prof Nimon Alimusaj, Have Shala, Muradije Muriqi, Nezir Istrefi etj
Emra dhge mbiemra që meritojnë të shkruhen me shkronja të arta. Hapsira e gazetës nuk më lë që t’i përmendi të gjithë, sepse të gjithë i kam në mendje dhe në zemër për kontributin e tyre që kanë dhënë për mirëvajtjen e këtij tubimi madhështor…
DATA 1 MAJ E VITIT 1990 SHËNOI KULMIN E KËTIJ MOBILIZIMI
I pari që i drejtohet profesorit Anton Çettës, ishte një burrë me ”beretkë françeze. Kishte mustaqe të shkurta dhe i gjatë me trup dhe i tha këto fjalë:
– Falë ju koftë’ duke ia shtrijë dorën profesor Antonit.
– Qofsh faqe-bardhë, burrë, qofsh i nderuemn të ruajt Zoti! I tha Antoni.
Dhe vijnë të tjerët më radhë…1, 2, 3, …10… 60… 66-të.
Gjysmë milioni shqiptarë të Verrat e Llukës, më 1 maj 1990 – i dhanë jehonë e madhështi më të madhe tubimit historik për pajtimin e gjaqeve. Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve”, zgjoi vetëdijen kombëtare. Çoi në këmbë një popull të tërë, duke shtrirë dorën e pajtimit. Ky mobilizim u tregoi pushtuesëve, se kur është fjala për çlirimin e Kosovës, s’ka forcë që na ndalë…… marrë nga gazetat e viteve 1990.
Shumë njerëz ia zgjatën besën burrit dhe intelektualit të Madh, Anton Çettës dhe profesorëve të tjerë dhe klerit fetar. Ata i vunë gur zemrës për të mirën e gjithë vatanit. Nuk ishte e lehtë të falën gjaqet e ngatrresat. Kuvendi ishte i rrethuar nga “Ora e ligë” e rrethuar nga tankët serbe për të kërcnuar pupollin shqiptar. Pas tubuimit, këto hije të zeza, desh u kacafytën me profesor Zekerija Canën, i cili ishte në mbrojtje të popullit, i cili ecte me “xhaket krahëve”, duke dhënë e duke marrë me njerëz por edhe me milicinë e pushtuesit. Për pak ndodhi më e keqja. Por fal gjakftohtësisë së profesorit çdo gjë u krye mirë dhe njerëzit u shpërndanë…
HIMË LYBENIQI, PJESMARRËS I KUVENDIT, 1903, 19010
Një rrëfimitar i asaj kohe flet, që ka qenë prezent në Kuvend flet: “Kur e kanë ndjekë shkaun te Ura e Limit, unë ende nuk kam pas le…Ky njeri, ka qenë Himë Lybeniqi, që ka jetuar mbi një shekull jetë. Ka lind dy a tri vjet para apo pas Lidhjes së Prizrenit (këtë fakt e ngatërronte, se në atë kohë kur kemi biseduar Hima ka qenë 114 vjet) dhe ka jetuar deri në vitin 1988. Ai rrëfen: “Nji vet a dy para Lidhjës së Pejës a mbajtë Kuvendi te Verrat e Llukës. Trembëdhjetë vjet i kam pas me 1903. Edhe me 1910 jam konë te Verrat e Llukës. Këtë kohë e mbaj në mend fort mirë. Te mullini i Sali Mustafës së Isniqit e deri në Llukë të Poshtme dhe deri afër Urës së Demës, krejt a konë i mbushun kështu, si gishtat e dorës. Atëherë nuk asht konë ura e Demës aty ku asht sot. Pak ma poshtë a konë. Ka pasë shumë njerëz. Nuk shifshe gja tjetër, veç krena njerëzish deri te Verri Binak, ku a konë i ulun i gjithë parësimi.
Osman Ademi e ka pasë flamurin kuq e zi në gji. A konë me kuvend, që kur të lidhet besa dhe burrat të thërrasin: “Rrnoftë Besëlidhja te Verrat e Llukës!Që sot e tutje kambë e huej nuk guxon të shkelë në këto anë!” Atëherë me u ngritë Flamuri e grupi tjetër me thirrë: “Rrnoftë Flamuri!” Kështu, pra, Osmani ka hypë në Verr Binak dhe ka pritë shejën e njerëzve të vetë por…
Kjo ka ndodhë në Besëlidhjen e vitit 1910. Atëherë Murteza aga a konë i marrun vesh. I ka thanë Shaban Binakut, çoma Zeqirin. Zeqir Halili a konë Vojvodë në Malësi. Shaban Binaku i ka thanë Zeqirit po të thërret Murteza Aga. Zeqiri ka shkue. Parësimi a konë nëpër konaqe në Llukë të Poshtme, Beleg dhe Isniq. Urdhnoni, zotni çka ka të re? Çka po më don? Kur ta ngriti unë dorën në kuvend dhe të them: Merrni vesh mymleqet, ti… (Hima u ndal pak.)
FLAMURI DHE VERRI BINAK
Asht marre për me e sha shqiptari shqiptarin. Me e sha vëllau vëllanë. Por na shqiptarët fatkeqësisht kemi kuvet me sha njani-tjetrin.Keq ka ndodhë. Kjo dihet. Aty jam konë. Dreqi e i biri janë konë. Ai njeriu që i ka krye urdhnat e njanit grup të beglerëve ka thirrë: O ndëgjoni burra, se besa në Kuvendin e Llukës u lidhë! dhe ka gjuejtë me pushkë. Janë përmend edhe disa fjalë të tjera: Ndërhyni burra se njerëzit po duen të vriten mes vete. Përsëri thirrjet: “Besa- besë!”
Kush asht ai njeri i katrrisun në Verr Binak? Unë jam Osman Ademi dhe e kam flamurin në gji. Çfarë flamuri?! Zbrit poshtë! Ky asht flamuri i llatinit. Zbrit ore se nuk na duhet flamuri. Parësimi ka vendos mos me e shpalue flamurin e llatinit…
Kështu ka mbetë pa u shpalue flamuri kombëtar në Verrin Binak, te Verrat e Llukës. Kjo a konë nji shejë e keqe për ne. Osman Ademi a konë i caktuem prej parësimit me orientim të çartë patriotik.
Prandaj Dervish Shaqa e Demush Neziri e kendoni atë kangen:
Osman Ademi nji njer plak
E rrehke pasha me konop t’lagt
Ku ma ki verrin Binak?…
Parësimi a konë i vendosun nëpër konaqet e katundit Llukë e Epërme dhe në katundet për rreth, si në Deçan, Beleg, Isniq, Llukë e Poshtme, Pozhar, Lumbardh, Kodrali, Junik, Prilep, Pobergjë, Voksh, Strellc, Lëbushë, Lybeniq dhe shumë katunde të tjera…
Burrat kanë ardhë nga krahinat e ndryshme të vendit. Janë bashkue në grupe dhe secili tue i ble mendimin tjetrit. Qëllimi asht konë bashkimi i të gjitha forcave. Por kjo nuk asht ba…
Aty e zgjodhën Bali agën për kryetar se ish ma plaku. Atëherë askush nuk donte me u ba i pari. Jo pse iu mungonte dëshira për me konë të parë, por secili mendonte se tjetri, ishte ma i mençëm se ai vetë. I thanë Isa Boletinit. Jo nuk due se ka ma të mençem se unë. I thanë Mahmut Begollit tim. Jo nuk due se ka ma të ditun se unë. Kend po e bajmë? Bali aga ish mbshtet për Verr Binak. Ia pash hajrin Bali aga, i thanë. Çka? Pyeti se nuk kish pas ndie bash mirë. Dikush thoshte se ishte edhe i verbër në njërin sy. Mandej i lidhën shalla e shoka nyje në Verr Binak për me tregue, se na duhet të bahemi bashkë e të lidhemi nyje. Malësi e Rekë. Toskni e Gegni. Kosovë, Shkup e Janinë. Me nji fjalë Verrat me dy krena i veshën me këmisha, shalla e shoka që i mblodhën nëpër katund dhe e lidhë besën tue thirrë njizanit: Besa-besë!
Gjithë ditën kriske pushka. Gjuenin njerëzit në shejë. Ka pasë kangëtarë nga të gjitha krahinat. I kanë lodrue kuajt. Kanë gjuajtë rrasash. Ka garue me “gurapesh”. Me u rrokë “shkekaz”. Me provue fuqinë tue ngritë dhe tue gjujtë gurin. Gjuajtje me gur me “baher”. Lojëra të barinjve etj. A konë gazmend i madh. Kemi ndej me ditë të tana për me i pritë vendimet e Kuvendit të Llukës. Ne kemi ndejt nëpër katundet afër Llukës. Unë shpesh kam shkuar në Lybeniq por edhe te fisi im në berishë.”
NJË IDE ARTISTIKE
Në vitin 2000 kur në Llukë te Eperme bashkë me Zekirija Canën e shumë veprimtarë të tjerë si Dom Lush Gjergji, hoxhë Ajni Ramadani, Nezir Istrefaj, Ibrahim Selmanaj, Muradije Muriqi, Murat Memaj etj, organizuan Tubimi historik, në shenjë të 10-të vjetorti te Tubimit historik te Verrat e Llukës dhe 90 vjetori i Beslidhjës së njohur historike, te Verrat e Llukës. Bashkë me Zekerja Canën themeluam grupin e punës. Asim Lokaj duhet të mirrej me skenografinë. Ai ishte i veçant, jo pse ai nuk është ne mesin tonë, por ai ishte një krjues i mirëfilltë. Me sjellje, me biseda, me veprime dhe me maturinë e tij ideo-artistike kemi zgjedh skenografinë.
Asim Lokaj në një kohë kishte biseduar me arkitektin Bashkim Fehmiun për përpilimin e nje Projekti Historik per hapesiren “Verrat e Llukës”. Unë ia kisha treguar disa ngjarje të vjetra të asaj kohe. I kisha fol per “Verrin Binak” dhe për Bali Agën e viteve 1910. Nga pleqtë kisha dëgjuar, se një Beslidhje Historike ishte bërë edhe para Lidhjes Shqiptare te Prizrenit dhe pas Lidhjes Shqitare të Pejës, por mungonin të dhënat historike. Historia jonë kishte mbetë vetëm në gojdhëna. Sa herë që vendi ndodhej në rrezik, te Verrat e Llukës, krerët e njohur kishin zgjedhur vendin si një pikë strategjike në mes të shqiptarisë, për mbajtjen e Beselidhjës, duke i tubuar njerezit me të njohur te krahinave shqiptare, si ato të Malesisë së Gjakovës, Lumës e Mirditës, Shkodrës, Peshterit e Pazarit të Ri, Preshevës, Kumanovës, Dibrës, Prespës, Tepelenës, Vlorës, Llapit e Gollakut, Drenices e Dukagjinit. Kuvende të tilla qenë mbajtur edhe në Junik, në Malsinë e Shkodrës etj.
PROJEKTI ARTISTIK
Mbi të gjitha në skicen e tij dhe në dëshirat tona ideore ishte të ndërtohej një “Kullë 12 kateshe” e gjatë. Ajo kullë monumentale të titulluar: “Beslidhja e Kuvendit, te Verrat e Llukës”, ku do të kishte hapësirë për aktivitete kulturore dhe historike, sportive etj. Ne kishim dëshirë, që skena të tregonte madhështinë e këtij tubimi nëpër shekuj. Skenografia do të ishte parësore, ku do të tuboheshin njerëz të vullnetit të mirë për faljen e gjaqeve. Kishte ndodhë gjithë ajo luftë e rëndë 1999, me masakra e perdhunime të papara nga forcat serbe mbi popullsinë shqiptare. Njerëzit ishin aq të prekur nga kjo luftë, prandaj Kryesia e mbajtjes së përvjetorit thanë njëzerit, që duhet të ruhemi që mos të ketë ngjyrime politike. Vetëm Ansambli “Shota” dhe disa valltarë të Bajram Currit. Një pjesë e aktorëve të Tearit Dukagjini. Recital për Besëlidhjen. Nuk duhet të ketë fjalime. Parësore do të jetë falja e gjaqeve…
POROSIA E KUVENDIT TE VERRAT E LLUKËS NË VITIN 2000
Me kujtohet një fjali e Nënë Aishës (nëna e vëllezërve Gërvalla të vrarë nga forcat serbe në Helbron të Shtutgartit), kur ajo u ngrit në tubim dhe tha: “A po ngoni bijë e bija të shqiptarisë”. Ajo e përmendi edhe Ramush Haradinajn. Të gjithë mbetëm me gojë hapur. Çka do të thoshte ajo? Ajo foli për meritat e luftëtarëve të UÇK-së. Mandej iu drejtua gjithë popullit: “Hiqnu ngatrresave. Hiqnu grindjeve partiake. Hiqnu fjalëve: jo unë i luftës, jo këta janë të Rugovës. Ne jemi një popull dhe duhet të jemi të bashkuar, si burrat moti që u bënë bashkë…”.
Kjo ishte thirrja e përgjithshme, e cila vlen edhe në ditët e sotme në këtë katrahurë plotike dhe pandemie me virusin corona-covid 19…
Çka të shkruaj sot, me 29 prill 2021, te Verrate Llukës për majin e vitit 1990? Shumë emra kanë mbet jashtë këtij shkrimi. Respekte për ata njerëz që kanë falë gjakun me 1990, por edhe në vitin 2000. Respekte për të gjithë ata profesorë e veprimtarë, që kanë kontribuar për mirë vajtjen e Kuvendeve: me 1903, 1910, 1990, 2000, 2010…dhe sidomos atyre njerëzve që me zemër plotë, falen gjakun e njerëzve më të dashur. Kurse sot me 2021, ne do ta kujtojmë këtë Kuvend historik, te Verrat e Llukës, me ndonjë shkrim apo video-incizim të atyre viteve? A ka kush që na lexon apo na shikon?!