Përdorimi dhe mbajtja e armëve pa leje vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Jo rrallëherë Policia has në persona që posedojnë armë ilegalisht, por ndodh që të tilla raste të zbulohen edhe në kafene lokale të ndryshme pasi klientët përfshihen në sherr me njëri-tjetrin.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnate në rrugën ’19 Qershori’ në Podujevë në lokalin shisha bar ‘Zone’, ku pas një konflikti verbal, 22-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka kërcënuar një person.
Sinjali mëson se në ngjarje ka ndërhyrë edhe një punëtor i lokalit, i cili i ka marrë armën nga dora të dyshuarit dhe pas intervenimit të Policisë, të njëjtën ua ka dorëzuar organeve të rendit.
Njësitë policore kanë sekuestruar armën bashkë me një karikator dhe fishekë, ndërkohë që në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë ku shihet punëtori i lokalit teksa drejton armën kah viktima.
Kjo ka bërë që ai të arrestohet dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor. Ndaj tij dhe 22-vjeçarit është iniciuar rasti për veprat ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.