Grupi në Facebook, “Me Kryeministrin”, ku ishin mbledhur mbi 300 mijë mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, tani nuk gjendet më askund.
Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, që ishte njëri nga administratorët e këtij grupi, nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth kësaj çështjeje.
Ai e mban ende në profilin e tij në Facebook linkun e grupit, i cili aktualisht nuk hapet.
Sipas Facebook-ut, ky grup nuk është i disponueshëm momentalisht pasi krijuesit mund ta kenë ndarë atë vetëm me një grup të vogël njerëzish ose është fshirë tërësisht.
Të hënën, një grup i ri, i quajtur po njësoj, “meKryeministrin”, u hap.
Grupin e ri e ka krijuar po Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së dhe ka shtatë anëtarë.
Grupi i madh “Me Kryeministrin” u krijua si shenjë revolte pas rënies së Qeverisë Kurti 1.
Aty është bërë fushatë e veçantë kundër gazetarëve dhe kujtdo që e kundërshtonte kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Kolegji i Komisionerëve evropianë e pati theksuar çështjen e linçimit të gazetarëve në Raportin e Progresit për këtë vit.
Në pjesën ku flitej për lirinë e mediave, në Raportin e Progresit, thuhej:
“Megjithatë mbetet shqetësim për fushata kërcënuese dhe sulme fizike ndaj gazetarëve.” /Botapress/