Është njëri prej politikanëve më të përfolur në Ballkan. Dritan Abazoviq njihet për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta.
I prerë, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, është kur flet edhe për epilogun përfundimtar të dialogut Kosovë – Serbi.
“Ju e dini se Mali i Zi e ka pranu Pavarësinë, Serbia nuk e ka bë. Duhet me gjetë një modalitet, me i pasë të dyja palët të kënaqura, që të dalin nga kjo status quo. Nuk shoh mënyrë tjetër, pos në pranimin e njohjes së të dy shteteve. Normalisht se duhet ta njoh”, deklaroi Abazoviq.
Politikani 35 vjeçar inkurajon si Kosovën ashtu edhe Serbinë që ta vazhdojnë dialogun me njëra-tjetrën. Procesin mes tyre, thotë se Mali i Zi, e mbështet.
Krahas dialogut, Abazoviq foli edhe për një proces tjetër që lidhet me Kosovën. Mosliberalizimin e vizave për kosovarët ai e cilësoi diskriminim nga ana e BE-së. Andaj kërkoi reagimin e unionit.
“Mendoj se BE nuk ka tregu sensibilitet. Na kemi qenë në Vjenë në një samit të liderëve, të shteteve të Ballkanit, të gjitha palët janë dakorduar edhe për çështjen e liberalizimit, edhe për çështjen e Maqedonisë Veriut duhet me tregu më tepër sensibilitet prej Brukselit. Këto dy shtete nuk duhet me qenë të bllokuara e as të dënuara”, theksoi ai.
Mali i Zi është një ndër vendet që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës./Botapress/