Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, e cila po qëndron në Gjermani në kuadër të konferencës së Evropës, ka hedhur poshtë deklarimet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar propozimin e ri për Asociacionin.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të premten e kaluar, në përfundim të samitit të BE-së në Bruksel, se Kosova tashmë ka premtuar se do të realizojë Asociacionin.
“Ne kemi nga të dyja palët, si Kurti, ashtu edhe Vuçiq, nga një premtim që do t’i zbatojnë marrëveshjet bazë të Brukselit, dhe nga Kurti kemi premtimin që do të realizojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kjo na është thënë qartë”, tha Kancelari Gjerman.
“Nuk e di për cilin Asociacion e keni fjalën, ka një Asociacion i vitit 2013, është bërë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën Gjykata e vitit 2015 e ka shpallur si shkelje të më shumë se 22 neneve. Ne kemi një propozim të ri, një dokument të ri të Bashkimit Evropian, në vija të trasha ka një qasje krejt tjetër nga në të kaluarit. Por këto janë të gjitha gjërat që ne do t’i bisedojmë gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe e gjitha kjo varet se a do të jetë ky propozim, ai i cili do të sjellë normalizimin përfundimtar me Serbinë apo jo. Nëse çfarëdo lloj dokumenti shërben vetëm për Kosovën dhe nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë, atëherë ne jemi shumë skeptikë se sa i përshtatshëm është ai për t’u diskutuar.”
“Po të lexoni me kujdes deklaratën e kryeministrit pas takimit në Bruksel, atëherë do ta dini që kryeministri ka bërë një deklaratë të hapur dhe të sinqertë për nënshkrim të tri dokumenteve. Po atë ditë Serbia e ka refuzuar atë ofertë të kryeministrit tonë përmes Bashkimit Evropian, prandaj një gjë e tillë tani është shtyrë për në të ardhmen, dhe se si do të ndodhë në të ardhmen, dhe a do të ndodhë në të ardhmen, mbeten të gjitha pyetje të hapura.” – tha Gërvalla për DW.