Pak më parë ka mbërritur në Tiranë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili do të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.
Vuçiç u takua me kryeministrin Edi Rama dhe me presidentin e Ukrainës Volodymir Zelensky, të cilët po presin delegacionet pjesëmarrëse në samit. Më pas presidenti Vuçiç iu drejtua shkurt gazetarëve në serbisht.
“Na pret një ditë e ngarkuar, mesazhe serioze dhe të rëndësishme. Ne duhet të flasim nesër për axhendën e rritjes, për tregun e përbashkët.
Le të flasim sot me Presidentin Zelenski. Tema të rëndësishme dhe jo gjithmonë të lehta për ne. Gjërat nuk janë aq të thjeshta”, – tha Vuçiç.
Për sanksionet kundër Rusisë?
“Kemi disa propozime për deklaratën… Do të shohim, por e vetmja gjë që mund të them është se do t’i përmbahem parimeve dhe parimeve të miratuara nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë dy vjet më parë”,- tha Vuçiç.
Kujtojmë se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas vendosjes nga Perëndimi, për luftën e nisur në Ukrainë.