Qytetarët e Kosovës janë në dilemë të madhe sa i përket ngrohjes në këtë dimër.
Gjatë ditës së djeshme është bërë kërkesë për rritje të çmimit të energjisë elektrike për 7 përqind, ndërsa ministria e Ekonomisë dhe vet ministrja Artane Rizvanolli kanë bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, shkruan lajmi.net.
Madje, në një rekomandim të postuar në profilin e saj, ajo e cilëson aq serioze situatën saqë i fton qytetarët të kenë kujdes e të mos i lënë në rrymë as konzolat e videolojërave atë kohë kur nuk janë duke u përdorur.
Në anën tjetër, Kosova përballet me ndotje të lartë të ajrit. Ministria e Mjedisit viteve të kaluara kishte hartuar një strategji për t’i ikur sa më shumë përdorimit të qymyrit dhe druve për ngrohje për shkak se ndikon negativisht në ndotjen e ajrit.
Tutje, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ngrohje.
“NP “Termokos” Sh.A., njofton opinionin e gjerë, përkatësisht gjithë konsumatorët se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, jemi detyruar që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë konsumatorët.Aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë deri në përmirësimin e situatës dhe rikthimit të furnizimit me ngrohje:, ka njoftuar Termokos.
Qytetari i Kosovës është në dilemë se me çka të nxehet në ditët e ftohta të fundvitit.