Rritja enorme e rasteve të reja me koronavirus ka ndikuar edhe në rritjen e rasteve aktive me COVID-19.
Vetëm në 24-orët e fundit, sipas raportit të IKSHPK-së janë konfirmuar gjithësej 562 raste. Kjo ka bërë që numri i rasteve aktive në vendin tonë të shkojë në 2 mijë e 640. Pavarësisht kësaj, në Kosovë vetëm 170 mijë persona janë të imunizuar aktualisht me dy doza të vaksinës kundër COVID-19.
Që nga fillimi i pandemisë, janë shëruar 105 mijë e 843 persona.
Në vend ndërkaq janë rritur thirrjet që të merren masa restriktive, pasi që varianti “Delta” është mbizotërues në infektimet e reja.
Mbetet të shihet nëse institucionet kosovare do të marrin ndonjë vendim për masa të reja, duke marrë parasysh faktin se ato aktuale po lejojnë një funksionim thuajse normal të gastronomisë dhe aktiviteteve tjera me rrezikshmëri të lartë të infektimit.