Botapress, 5 tetor- Goran Stanishiq është dënuar sot me 20 vjet burgim, për vrasjen e 13 civilëve në fshatin Sllovi të Lipjanit. Pas dënimit të tij, një 85-vjeçare nga ky fshat, ka rrëfyer dhimbjen për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes
85-vjeçarja Zejnepe Gashi ka folur për përjetimin e rëndë në ditën kritike të prillit të vitit 1999 dhe krimin që e kishte kryer fqinji i tyre serb bashkë me disa persona të tjerë.
“Kapixhikit i ka ra, ai ka qenë mbyll. Hyni në oborr, ky sefte me këta tjerët. Krejt të Sllovisë janë kanë. Atyre tjerëve krejt nuk ua di emrat bash saktë. Por ky i ka rendit krejt. Ky ju ka ra djemve, nipave, ky mi ka vra krejt”, tha Gashi për RTV Dukagjinin.
Ajo thotë se pas vrasjes së familjarëve e kanë dëbuar nga fshati, ndërsa është kthyer të nesërmen prapë.
“Të nesërmen jam kthy vetëm unë, i kam kërku ku i kam djemtë e nipat, ku i kemi dërguar. Më thanë: I kemi mbyt krejt, këtu nuk ke derë më. Pas 14 ditëve kam marrë vesh që i kanë dërgu nalt e i kanë varros”, rrëfen ajo.
Shtëpia e viktimave dhe të dënuarit Stnaishiq i ndante vetëm një rrugë.
Gashi ka thënë se nuk kanë pasur raporte të këqija me serbët që jetonin aty, por pas fillimit të luftës gjithçka ndryshoi, percjell Botapress.info