As dy njerëz bashkë s’kanë mundur t’i bëjnë për pozitën e Sekretarit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pozita e sekretarit ishte hapur më 13 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo sot Ministria e Punëve të Brendshme është detyruar që t’i ndërpres procedurat e rekrutimit për këtë pozitë, pasi që askush nuk është interesuar që të bëhet pjesë e stafit të Rozeta Hajdarit, e cila e drejton këtë ministri.
Demokracia.com e ka siguruar vendimin e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që i ka ndërprerë procedurat e rekrutimit për Sekretar të Përgjithshëm të MINT-it.
“Në pajtim me dispozitat ligjore, ndërpritet procedura e rekrutimit me numër RN00010579 e shpallur me datën 13.12.2022 për pozitën sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pasi që nuk janë identifikuar të paktën dy kandidatë që i kanë plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tutje në procedurën e rekrutimit”, thuhet në vendimin që e ka siguruar gazeta.
Pozita e sekretarit është vakante që nga fillimi i mandatit të Qeverisë Kurti II dhe deri më tani, ky institucion e ka kryer funksionimin me zëvendësues të sekretarit (emërtimi me Ligjin e ri për Zyrtarët Publikë).
Edhe herën e parë, arsyeja e anulimit të konkursit për pozitën e sekretarit ishte e njëjta, pasi që askush me përgatitje profesionale nuk po e dëshiron këtë pozitë, që është e dyta për nga rëndësia në një ministri.
Krejt kjo ka një arsye, siç ka mësuar gazeta pasi që ministrja Rozeta Hajdari i ka ndërruar disa zëvendësues të sekretarit, sepse me asnjërin nga ta nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët të funksionimit.
Pasi ka marrë detyrën e ministres në mandatin e dytë, zëvendësues të sekretarit e kishte emëruar Irfan Lipovicën, që është drejtor i Departamentit të Integrimeve Evropiane. Lipovecin e kishte zëvendësuar me Arbër Gegajn për disa muaj, por as ky nuk është se gjeti gjuhë të përbashkët me ministren Hajdari.
Tash zëvendësues i sekretarit është emëruar Rexhep Ballaca, që mban pozitën e drejtorit të Zyrës Ligjore pranë MTI-së.
Kjo ministri i ka edhe 7 agjenci dhe që të gjitha i ka me zëvendësues, pasi asnjëri nga ta nuk iu ka nënshtruar konkursit të rekrutimit. /Botapress.info/