Nga: Prishila Gjoka
Sabina Rehusova është një sllovake që i pëlqen të udhëtojë, qoftë për biznes apo kënaqësi. Ajo ka vite që udhëton nëpër botë, ndërsa së fundmi ka udhëtuar më shpesh në Ballkan për punë. Nëse do të kishte një fjalë specifike për ta quajtur atë, do të ishte një nomad dixhital me kohë të pjesshme.
Gjatë rrotullimeve të saj në LinkedIn, ajo mësoi për AlbaniaTech dhe vendosi të ndajë me ne kohën e mrekullueshme që kaloi në Shqipëri kur e vizitoi vitin e kaluar. E pyetur për kohën kur dëgjoi për herë të parë për Shqipërinë, ajo është shumë e shpejtë të thotë se e dinte tashmë për të gjatë gjithë kohës.
Ka dëgjuar për thashethemet në Shqipëri sa i përket sigurisë, por…
“Unë jam nga Sllovakia dhe jam një vizitore e shpeshtë në rajonin e Ballkanit, kështu që Shqipëria, natyrisht, ka qenë në listën time për disa kohë. Hera ime e parë që udhëtova në Shqipëri ishte verën e kaluar. Edhe pse e kisha në plan ta vizitoja në 2019 për pushimet verore, por ndodhi e gjithë situata me pandeminë Covid-19 dhe vendosa ta shtyja, por vitin e kaluar në verën e 2021 vendosa të vij.”
Megjithatë, Sabina tregohet se është një femër shumë e informuar ndaj kishte dëgjuar edhe për thashethemet në Shqipëri përsa i përket sigurisë, opinion që vendosi ta sfidojë duke ardhur në vendin tonë.
“Unë udhëtoj shumë vetë dhe të udhëtosh vetëm si grua paraqet disa rreziqe. Por e pashë këtë udhëtim në Shqipëri, si një shans për të vërtetuar se bota nuk është aq kërcënuese sa na thonë dhe gratë mund të udhëtojnë pa frikë, edhe në ato vende që shihen negativisht përsa i përket sigurisë. Ka disa këndvështrime negative që vijnë nga mediat dhe më duhet të them se kam qenë duke udhëtuar për 14 ditë dhe nuk kam pasur asnjë përvojë negative”, rrëfen Sabina.
Edhe Sabina rrëfen me shumë kënaqësi ushqimin e shijshëm dhe vendasit miqësorë: “Oh, ushqimi është i shkëlqyeshëm! Njerëzit janë shumë mikpritës dhe miqësorë dhe unë shoh se ky është një aspekt themelor i shoqërisë shqiptare, shqiptarët janë jashtëzakonisht bujarë dhe mikpritës. Madje më ftoi një familje shqiptare që të bashkohesha me ta për një darkë familjare. Ishte vërtet e mrekullueshme dhe më ofruan ushqim të mjaftueshëm për të ushqyer një ushtri.” ajo buzëqesh ndërsa përshkruan.
Ajo tha se nuk është shumë pas plazheve, ndaj erdhi me synimin për të zbuluar një pjesë tjetër të Shqipërisë, që mund të quhet lehtësisht një thesar për shqiptarët! Ajo vizitoi 3 vende të ndryshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Butrintin në pjesën jugore të Shqipërisë që është mikrokozmosi i Mesdheut, Beratit dhe Gjirokastrës.
Edhe pse udhëtimi në Shqipëri kishte të mirat e veta, nuk mund të mos e pyesnim Sabinën nëse e kishte të vështirë të hynte në Shqipëri si e huaj.
Tirana e bukrua e Shqipërisë
“Jo me të vërtetë sepse nuk kam nevojë për vizë për të vizituar. Edhe pse e mbaj pasaportën time me vete kur udhëtoj në rajonin e Ballkanit, por nuk e përdor. Unë përdor kartën time të identitetit. Çështja e vetme në verën e 2020 ishin certifikatat e Covid, por unë nuk pata asnjë problem me këtë sepse kisha certifikatën time.”
Sabina tregon gjithashtu se kostot për udhëtimin dhe qëndrimin ishin shumë të përballueshme për standardin e saj, por u shpreh me shumë kujdes se kupton që nivelet ekonomike ndryshojnë nga vendi në vend, kështu që ajo që dukej e përballueshme për të nuk mund të ishte aq shumë për vendasit apo njerëz që udhëtojnë nga vende të caktuara.
E pyetur për një gjë që i pëlqeu më shumë, mund të habitesh kur të zbulosh se ishte Tirana: “Kryeqyteti dhe pamja e gjelbër e tij. Mendova dhe prisja që Tirana të ishte gri dhe e errët si shumë qytete që ranë nën regjimin komunist, por doli krejt e kundërta. Ka parqe dhe ndërtesat janë të lyera me ngjyra të ndryshme. Ishte vërtet bukur.”
Sabina ka vizituar shumë vende dhe ishte këmbëngulëse duke menduar se për ta bërë Shqipërinë më të mirë për Digital Nomads si hap i parë duhet t’i kushtojmë vëmendje infrastrukturës. Shqipëria duhet të lehtësojë udhëtimin nga një vend në tjetrin, shprehet ajo.
Sabina do të rikthehet gjatë verës dhe do të vizitojë miqtë e saj të rinj nga Shqipëria, ndërsa me siguri do të vazhdojë të sugjerojë të tjerë që ta vizitojnë këtë vend.