Deputeti i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e majtë ka një rënie drastike të investimeve publike në formimin e kapitalit Bruto. Ai thotë se nëse vazhdon kështu Kosova rrezikon të bjerë edhe më shumë.
Deputeti Avdullah Hoti, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, ka kritikuar qeverinë, siç thotë ai, të majtën e Kosovës për uljen drastike të investimeve publike në formimin e kapitalit bruto.
Ai bën të ditur se gjatë kësaj qeverie, investimet në formimin e kapitalit kanë rënë nga 22.6% në 2019 në vetëm 9.7% në 2022.
Nëse është kështu, ai ka bërë të ditur se Kosova do të jetë edhe më keq në vitet e ardhshme dhe se Kosova ka një jetë të tërë për investime, duke marrë parasysh problemet ekonomike dhe sociale me të cilat ballafaqohet.
Postimi i plotë:
RËNIE DRASTIKE E INVESTIMEVE PUBLIKE NË FORMIMIN E KAPITALIT BRUTO GJATË QEVERISJES SË MAJTË
Ekonomia nuk zhvillohet kur investimet nga buxheti i shtetit për formimin e kapitalit bruto përgjysmohen si përqindje e shpenzimeve totale?!
Ja çfarë ka ndodhur gjatë qeverisjes së majtë – shihni figurën. Investimet për formimin e kapitalit kanë rënë nga 22.6% e buxhetit në vitin 2019 (viti para pandemisë) në vetëm 9.7% në vitin 2022.
Kjo politikë çon në stagnim e prapambetje ekonomike. Me këtë politikë Kosova do të mbetet edhe më shumë prapa vendeve të rajonit dhe më gjerë në sasinë e kapitalit shoqëror për kokë banori.
Kosova ka nevojë për investime masive kapitale për të rritur kapitalin shoqëror, i cili përfshinë rrugën, hekurudhat, infrastrukturën arsimore e shkencore, infrastrukturë shëndetësore, sistemet e shërbimeve publike të energjisë, ujit, ngrohjes etj.
Për shumë vite me radhë, investimet kapitale publike e kanë ndihmuar zhvillimin ekonomik duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të ulur kostot e bizneseve. Në të njëjtën kohë, investimet kapitale kanë krijuar efekte multiplikuese në ekonomi që kanë krijuar cikël pozitiv të zhvillimit ekonomik.
*Viti 2020 ka qenë vit i pandemisë dhe arsyetohen shpenzimet e ulëta./Botapress.info/