Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të merret me gjendjen në veri.
Ai ka thënë se situata në veri i shërben vetëm Rusisë dhe Serbisë dhe se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në kurthet serbe.
“Kujt i shërben situata në veri? Serbisë dhe Rusisë. Kujt nuk i duhet? Kosovës dhe miqve perëndimorë. Të qenurit i izoluar në mes të malit ne ambient armiqësor, qëndrimi i gjatë është stresues, është qetësi shurdhuese. Po flas që nga të gjithë ne e në veçanti nga kryeministri të kuptohet pesha e situatës së krijuar. Kundërshtari i Kosovës është i krijuar nga kurthet, operon me kurthe. Andaj sot veç një detyrë e ka kjo qeveri të mos vazhdojë të bije në kurthet e Serbisë. Të njohësh armikun është detyrë dhe përparësi e madhe”.
Në seancën e Kuvendit, Quni ka thënë se vetë kryeministri Albin Kurti ka dhunuar policët që sot po qëndrojnë në veri, ndërsa shtoi se nuk ka pranuar kërkesën e aleatëve për të mos ngritur tensionet.
“Për policët që po qëndrojnë atje, janë po të njëjtit policë që nga vetë kryeministri u dhunuan dhe u bëhej thirrje poshtëruese të shkonin në Mitrovicë. Ja tani ata janë atje në skajin me të largët madje. Kanë qenë në krye të detyrës edhe kur i keni poshtëruar. Bazuar në situatën e krijuar shtrohet pyetja a ka pasur mundësi të tjera që të mos krijoheshin tensione? Ishte një kërkesë shumë dashamirëse nga aleati ynë, keni durim 10 muaj të merremi me esencën dhe jo me derivatet e problemit. Ju kryeministër ju përgjigjët me faza e fraza e me etapa. Kryeministër mund të ndihesh i pushtetshëm me opozitën mund të vazhdosh ta ushtrosh pushtetin me cinizëm por Kosova nuk është e qeverisë por e popullit”, deklaroi Quni.