Lëvizja Vetëvendosje sot ka akuzuar opozitën për diçka që në të kaluarën e kishte bërë edhe vetë disa herë. Mjafton një kërkim në internet dhe të shfaqen lajme të tëra kur Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar që të japë votat për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Dy raste më të freskëta janë gjatë kohës kur Avdullah Hoti ishte kryeministër i Kosovës pasi kishte rrëzuar Albin Kurtin nga pushteti.
Më 23 qershor të vitit 2020, Hekuran Murati, i cili tash drejton dikasterin e Financave, kishte treguar se si Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke e quajtur qeverinë Hoti si “jolegjitime”.
“Nuk mund të marrim pjesë në këtë votim. Nuk do t’i ndihmojmë një qeverie e cila është jolegjitime. Ashtu siç i keni siguruar votat në kohë pandemie për rrëzimin e qeverisë, besoj se do t’i siguroni edhe votat e nevojshme për këtë marrëveshje”, kishte deklaruar Hekuran Murati atë kohë.
Veprim të njëjtë, Vetëvendosje kishte bërë edhe në korrikun e po të njëjtit vit, duke munguar në seancën ku pritej miratimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare. Për shkak të mungesës së kuorumit, pesë marrëveshje s’kishin kaluar.
Atë kohë, Vjosa Osmani si kryetare e Kuvendit kishte thënë se votimi i marrëveshjeve të tilla do të shtyhej për një seancë tjetër.
Në rend dite ishin këto marrëveshje:
Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.
Para dy vitesh, për mospërkrahjen e VV’së për marrëveshjet ndërkombëtare në emisionin DPT te Fidani kishte folur edhe Arbërie Nagavci, e cila kishte thënë se Vetëvendosje nuk i përkrahë ato, meqë është detyrë e Qeverisë që t’i sigurojë votat.
Me këtë fjali, Nagavci ka hequr barrën e përgjegjësisë nga Vetëvendosja.
“Fundja qeveria e ka për detyrë vetë t’i sigurojë votat, dhe ne nuk japim as nuk kemi përgjegjësi në këtë pikë”, kishte deklaruar Nagavci në T7.
Rast tjetër kur s’kishin kaluar disa marrëveshje tjera ndërkombëtare gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit është edhe tetori i vitit 2020.
Në mungesë kuorumi nuk kishte arritur të votohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurimin e ujit.
Më 16 tetor 2020, 2/3 e votave nuk e kishte marr as Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it.
Këto dy marrëveshje nuk ishin votuar nga Vetëvendosje, përfaqësuesit e të cilit kërkuan sqarime shtesë për të dy marrëveshjet.
Ndërkohë sot, Lëvizja Vetëvendosje që po udhëheq me shtetin, ka kritikuar LDK-në, PDK-në, AAK-në se si falë mospërkrahjes së tyre Kosova ka humbur 100 milionë euro. Madje për ta bërë edhe më brutale kritikën, në listë me tri partitë shqiptare e kanë futur edhe Listën Serbe./GazetaExpress/