Ministria e Financave sot ka bërë ekzekutimin e pagave të zyrtarëve publik për muajin prill. Por, as këtë muaj këta zyrtarë nuk i kanë marrë pagat e tyre me shtesa, të cilat iu takojnë me ligj.
Ndonëse Qeveria ishte zotuar se këtë muaj pagat do t`i marrin me shtesa, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se korrigjimi/përshtatja e të dhënave në sistem të pagave, do të vazhdojë edhe në ditët dhe javët e ardhshme.
“Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë të gjithë zyrtarët publik të Republikës së Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e treta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023. Edhe gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ka pranuar një numër të lartë kërkesash nga zyrtarët publik, dhe me qëllim që të evitohen gabimet, të gjitha kërkesat janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për këtë ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. I njoftojmë të gjithë zyrtarët publik se pas përmirësimeve diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik”, është thënë në njoftim.
Kreu i KK të Mitrovicës Veriore: Ne votuam, lirimi i Urës së Ibrit i takon Sveçlës dhe Krasniqit
Në njoftim është bërë me dije se përmes njësive për menaxhimin e burimeve njerëzore këto institucione po bëjnë përpjekje për shqyrtimin e të gjitha ankesave.
“Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, në zbatim të Vendimit Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Thesarin e Shtetit/Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, përmes njësive për menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, ka vazhduar punën gjatë gjithë muajit prill në plotësimin, përshtatjen dhe korrigjimin e të dhënave të të punësuarve në funksion të zbatimit efektiv të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimit të Qeverisë Nr.04/128 të datës 16.02.2023”, është thënë në njoftim.
Me tej, është treguar se kush ka qenë prioritet këtë muaj,
“Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për (i) punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, (ii) punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Puna në shqyrtimin dhe vendosjen e ekuivalencës përkatëse për secilën pozitë, ndikohet jashtëzakonisht shumë nga numri i kërkesave, prandaj, ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme deri në adresimin e plotë të çdo pasaktësie në listat e pagave”, është thënë në njoftim.
Të dy ministrit kanë treguar se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe me udhëheqësit e institucioneve me qëllim adresimin më të shpejtë dhe më të saktë të të gjitha kërkesave që përmbajnë mospërputhje me përcaktimet e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.