Derisa kryeministri Albin Kurti po e sulmonte nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur superkriminel i veriut, e caktuara prej tij si Shefe e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, nga prapaskena po e kryente detyrën e koordinimit me të njëjtin person, Milan Radojçiqin.
Koordinimi dhe kontaktet me një person të Listës së Zezë të ShBA-së për veprimtari kriminale, për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarrest, nuk përbënin kurrfarë pengese që në emër të kryeministrit Albin Kurti, shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, të koordinohej me kriminelin e veriut, Milan Radojçiqin dhe Listën Serbe, i cili është edhe nënkryetar i kësaj partie.
Çfarë janë dronët ‘Bayraktar TB2’, të cilët Kosova i bleu nga Turqia
Shpërfaqja në publik e këtij koordinimi në prapaskenë ka rrënuar mitin dhe fjalët e mëdha të kryeministrit Kurti se ai në asnjë rrethanë nuk bashkëpunon me Listën Serbe, të cilën, si opozitar, e quante “parti çetnikësh” dhe “zgjatim i Beogradit”.
Pikërisht kjo ka bërë që kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, të hidhen në mbrojtje të koordinimit me superkriminelin nga veriu, Milan Radojçiq.
Kurtin duket se nuk e ka penguar ky koordinim, pasi e sheh vetëm si një detyrë të zakonshme të Kusari – Lilës për të siguruar vota.
“Shefja e grupi parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka intepretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë njëjtë me atë që mendojnë e që qartazi është një icizim që është i gjymtuar i redaktuar dhe rrjedhimisht organet e drejtësisë të merren me të. Shefja grupit tonë jo vec që bashkëbisedon, por ajo e ka për detyrë të përpiqet që të sigurojë për vota”, tha ai.
Kurti më herët kishte mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Radojçiqit, të cilin e quante kryekriminel.
Nuk ka mjaftuar vetëm mbrojtja nga Kurti, por edhe të tjerë pas tij kanë ndjekur logjikën e njëjtë. Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbështeti fuqishëm koordinimin e Kusarit në emër të Kurtit me superkriminelin e shpallur ‘non grata’ nga ShBA-ja, Milan Radojçiq.
As edhe një fjalë të vetme të keqe nuk e ka thënë as ministri tjetër i Qeverisë Kurti.
Xhelal Sveçla, si Ministër i Brendshëm, do të duhej të shqetësohej për bisedën telefonike të Kusari – Lilës me një kriminel të Listës së Zezë të ShBA-së dhe që kërkohet nga institucionet kosovare të drejtësisë.
Kusari – Lila e ka marrë mbështetjen edhe të deputetëve të VV-së, në mesin e të cilëve edhe nga deputeti Arbër Rexhaj.
“Unë krejt çka pash aty, pash një konglomerat forcash të bashkuara, të cilat këtë incizim e kanë pas shumë më përpara në dorë, të cilën e kanë përmend në emisione të ndryshme televizive dhe kur Qeveria e Kosovës po shtron sovranitet, rend e ligj në veri, e kanë gjet kohën që ta plasojnë në publik”, ka deklaruar ai.
As deputetin zhurmagji, Dimal Bashën, nuk e ka penguar aspak koordinimi i VV-së me kriminelin serb Milan Radojçiq.
Lista e zyrtarëve të Vetëvendosjes që për një javë mbrojtën koordinimin me kryekriminelin nga veriu është e gjatë.
Kësaj liste, me heshtjen e saj, i është bashkuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Koordinimi dhe kontaktet me një person të futur në Listën e Zezë të ShBA-së për veprimtari kriminale dhe për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarrest, nuk i kanë bërë përshtypje fare asaj. Gjatë javës që po e lëmë pas, Osmani nuk ka pasur asnjë reagim, madje as për të kërkuar që politika të mos vështirësojë punën e institucioneve të pavarura të sigurisë dhe drejtësisë. /Botapress.info/