Pretendimet e pushtetit për ta paraqitur si raport ndërkombëtar një artikullin të sponsorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në revistën Economist Impact, kanë nxitur reagime të shumta në vend.
Kjo përpjekje e disa deputetëve të VV-së dhe zyrtarëve të lartë të saj është cilësuar si propagandë e pastër.
Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se në këtë mënyrë pushteti po mundohet t`i manipulojë masat.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se me demagogji nuk mund të qeveriste një shoqëri demokratike.
Sipas tij, kjo tregon se Qeveria Kurti fundin e ka afër.
“Me demagogji mund të mashtrohen masat për të fituar një palë zgjedhje. Me demagogji mund të mbahet entuziazmi i masave për një kohë të shkurtër. Por me demagogji nuk mund të qeveriset një shoqëri demokratike. Fundin e keni afër”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” deputeti i LDK-së.
Edhe koordinatori për Ekonomi dhe Financa në Qeverisjen e Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka qenë i ashpër me mburrjen e pushtetit me këtë shkrim të sponsorizuar.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo tregon gjendjen e rëndë të partisë në pushte.
“Artikullin e sponsorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në revistën Economist Impact, ku flitet për suksesin e kompanive kosovare, deputetët e VV-së po mundohen ta shesin si raportim ndërkombëtar rreth gjendjes së ekonomisë së Kosovës. Kjo tregon gjendjen e rëndë të kësaj partie në kërkim të ndonjë lajmi për t’ia shitur publikut si sukses të Qeverisë Kurti – sukses ky që nuk po gjindet askund”, ka shkruar ai.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti se po shkatërron klimën e të berit biznes në vend.
“OEK me plot të drejtë mundet dhe duhet t’i promovojë sukseset e kompanive kosovare, por shtrohet pyetja se cili është kontributi i kësaj qeverie në sukseset e këtyre kompanive?! Me pasigurinë që ka krijuar dhe qasjen armiqësore ndaj kompanive të suksesshme, kjo qeveri po e shkatërron klimën e të bërit biznes në Kosovë”, ka vlerësuar ai.
Kurse, analisti Shenoll Muharremi, i cili disa herë ka demaskuar propagandën e VV-së, ka kritikuar partinë në pushtet për mungese njohurish në shumë fusha.
Duke komentuar qasen e zyrtareve të VV-së ndaj një artikulli të sponsorizuar dhe publikuar në “The Economist”, ai ka bërë me dije se po vërtetohet se kjo parti ka një ekip të dobët të komunikimit me publikun.
“Kolapsi i Propagandës. VV e ka një ekip të dobët të komunikimit. Me gjasë nuk kanë as eksperiencë as njohuri për politika publike. Kjo po i kushton Albin Kurtit dhe qeverisë së Kosovës. Nganjëherë vështirë është me ba dallimin mes komunikimeve të qeverisë dhe partisë në pushtet. E kam konstatuar shumë herët kapacitetin e tyre të dobët. Kur Kosova pagoi anëtarsimin vjetor të futet në një Program të BE-së, ky grup i dobët i propagandës as që e kuptuan cka po ndodhë. Patën nxituar me kriju një grafikon ku thuhej “Kosova përfiton 4.2 miliardë euro”. Pata reaguar menjeherë kundër këtij tentim-mashtrimi e manipulimi… dhe u patën detyruar me tërhjek e përmirësu komunikatën”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Pretendimet e pushtetit për artikullin e sponsorizuar
Duke prezantuar artikullin në fjalë, deputetët e VV-së kanë kritikuar mediat vendore për mospublikimin e këtij artikulli.
Nder të paret që kanë reaguar kanë qenë deputetët e VV-së, Artan Abrashi dhe Fitore Pacolli. Pas tyre, edhe zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
Më pas ndoshta karvanit do t’i bashkohen edhe shumë e shumë të tjerë.
“Revista prestigjioze britanike “The Economist” e paska thënë. E vërteta e Kosovës po përhapet nëpër tabloide ndërkombëtare si sukses! Në anën tjetër, këtë lajm me siguri nuk do ta lexoni në shumë kazane të Kosovës”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” Artan Abrashi.
Me të njëjtën ashperesi, ka folur edhe deputetja Fitore Pacolli.
“Në raportet ndërkombëtare e revista prestigjoze botërore Kosova po vlerësohet shembull në Ballkan. Ndërsa në Kosovë në titujt e portaleve shkruhet krejt e kundërta. Derisa analistët e opozita po tregojnë se sa keq është ekonomia e Kosovës, revista britanike ‘The Economist’ ka shkruar se Kosova me rritje ekonomike ka tejkaluar fqinjët ballkanik. Spo pyes se kujt duhet me i besu. Dihet”, ka shkruar ajo.
The Economist – revista prestigjioze britanike – e kishte botuar një artikull ku e lavdëronte ekonominë e Kosovës.
Ai titullohet “Kombi i start-upeve – Qysh kompanitë kosovare po kapërcejnë pritjet për ta çuar shtetin përpara”
Është artikull i sponzorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Një organizatë që mbledh biznese vendore, shumë prej të cilave e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen e saj kundër bizneseve.
“Me përjashtim të vitit pandemik të 2020-s, Kosova ka përjetuar zhvillim ekonomik të pandërprerë, duke i teklauar shumë prej fqinjve në Ballkan,” – shkruhet në këtë artikull.
Pra, Kosova s’ishte zi e terr siç e bënte VV-ja. S’ishte asnjëherë. Vazhdimisht pati zhvillim ekonomik. Kështu thotë artikulli. Por, s’e thotë dot VV-ja.