Edhe pse punëtorët shpeshherë marrin lëndime trupore gjatë kohës që janë duke punuar, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës. Si pasojë e kësaj janë të shpeshta rastet kur punëtorët kërkojnë ndihmë mjekësore në spital për shkak të lëndimeve të marra.
Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Kaçanik, ku një punëtor që po kryente punime për Hekurudhën e Kosovës ka rënë nga një lartësi dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 22-vjeçar, i cili është dërguar në këtë qendër për trajtim mjekësor nga menaxheri i tij për shkak të lëndimeve që kishte marrë në vendin e punës.
Sipas informacioneve të para, i riu ka pësuar lëndime në këmbë dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë.
Si rezultat i denoncimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe personi përgjegjës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë në vendin e punës”./Botapress.info/