Ish-centrali bërthamor në Chernobyl në veri të Ukrainës u mor nga forcat ruse në ditën e parë të pushtimit. Tani është kthyer nën kontrollin e Ukrainës. BBC ishte ndër mediat e para që u fut brenda tij pas largimit të rusëve.
Pasditen e 24 shkurtit, forcat ruse rrethuan Chernobylin me tanke dhe automjete të blinduara, duke hyrë në Ukrainë nga kufiri me Bjellorusinë, vetëm rreth 16 km larg.
Rreth 170 roje kombëtare ukrainase që ruanin centralin u dërguan në bodrum dhe u mbajtën rob atje. Më pas ushtarët rusë kontrolluan ambientet për armë dhe eksplozivë.
Inxhinierët, mbikëqyrësit dhe stafi tjetër teknik u lejuan të vazhdonin punën. Në dy ditët e ardhshme, u sollën ekipet e agjencisë ruse të energjisë atomike Rosatom.
Stafi i Chernobylit ishte i vendosur të mbante kontrollin e centralit. Nuk është një central që funksionon, por mbetjet radioaktive ruhen në vendin e fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë. Miliarda dollarë janë shpenzuar që nga aksidenti më 1986 për të pastruar dhe për të kontrolluar kontaminimin e mëtejshëm. Nëse kushtet në vend nuk monitorohen siç duhet, ekziston një rrezik i madh i çlirimit të materialit bërthamor.
“Ata donin të dinin se si menaxhohej objekti. Ata donin informacion për të gjitha procedurat, dokumentet dhe operacionet. Unë u frikësova sepse marrja në pyetje ishte e vazhdueshme dhe ndonjëherë me forcë”, ka thënë për BBC-në Oleksandr Lobada, një mbikëqyrës i sigurisë nga rrezatimi.
Në katin e fundit të ndërtesës kryesore të centralit janë dhomat kryesore nga ku kontrollohet zona, të vendosura në të dy anët e një kalimi të gjatë e të ngushtë. Disa nga dhomat ishin të mbyllura. Kur rusët nuk i gjetën çelësat, ata hynë në dhoma, duke prerë pjesën e derës në të cilën ishte futur kyçi.
“Ne duhej të negocionim vazhdimisht me ta dhe të përpiqeshim shumë që të mos i ofendojmë, në mënyrë që ata të lejojnë personelin tonë të menaxhojë objektin”, ka thënë inxhinieri Valeriy Semonov.
Kur rryma në stacion u ndërpre për tre ditë, Valeriy tha se ai u përpoq të gjente karburant për të mbajtur gjeneratorin në punë, madje duke u drejtuar për të vjedhur disa nga rusët.
“Nëse do të kishim humbur rrymën, mund të kishte qenë katastrofike”, shpjegoi Oleksandr. “Materiali radioaktiv mund të ishte lëshuar. Përmasat e tij, ju mund ta imagjinoni mirë. Unë nuk u frikësova për jetën time. Kisha frikë se çfarë do të ndodhte nëse nuk do të isha atje duke monitoruar centralin. Kisha frikë se do të ishte një tragjedi për njerëzimin”.
Zona pas centralit e quajtur “Pylli i Kuq” është një nga vendet më radioaktive në tokë. Pamjet me dron të publikuara nga ushtria ukrainase tregojnë se ushtarët rusë hapën llogore dhe madje qëndruan atje. Kjo u konfirmua edhe për BBC nga zyrtarët e stacionit.
Është dëshmi se sa pak dinin ushtarët për sigurinë bërthamore.
Energoatom, agjencia shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, ka thënë se ushtarët rusë ishin të ekspozuar ndaj “dozave të konsiderueshme” të rrezatimit.
Jashtë reaktorit bërthamor të dëmtuar ushtarët rusë grumbulluan thasë me rërë prapa të cilëve mund të fshiheshin nëse do të sulmoheshin. Valeriy tallet më këtë, duke thënë se ushtria ukrainase as nuk do të ëndërronte të gjuante në një reaktor bërthamor.
Në bodrumin e ndërtesës kryesore janë dhomat e gjumit të cilat janë plaçkitur krejtësisht. Dyshemeja është mbuluar me mbeturina, veshje, këpucë dhe gjëra të tjera personale të rojeve ukrainase. Zyrtarët në Chernobyl kanë thënë se rusët plaçkitën gjithçka kur ikën dhe morën me vete edhe anëtarët e zënë rob të rojeve kombëtare.
“Mundëm ta mbanim zonën të sigurt. Por, jemi të mërzitur që ata morën 169 nga ushtarët tanë”, ka thënë Valeriy.
Nuk është konfirmuar se ku po mbahen ata, por stafi i Chernobylit beson se janë në Rusi.
Ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, vizitoi Chernobylin të premten dhe dërgoi ushqim e pajisje të ndryshme për personelit. Ai pati një paralajmërim për botën.
“A jemi të sigurt se nesër trupat ruse nuk do të shfaqen këtu? Përgjigja ime është jo. Putini është plotësisht i paparashikueshëm. Dhe tymi bërthamor nuk ndalohet në kufij. Mund ta arrijë Evropën Lindore, Qendrore, madje edhe Britaninë e Madhe. Rreziku i kontaminimit bërthamor të Evropës është shumë i madh teksa Rusia vazhdon këtë luftë”, ka porositur Poroshenko.