Peshku është një nga ushqimet më të mira për funksionet e trurit dhe shëndetin mendor.Sipas studimeve, tek të cilat bazohet AgroWeb.org acidet yndyrore dhe amino acidet që gjenden tek disa lloje peshqish përmirësojnë shëndetin mendor dhe funksionet e trurit. Ndaj dhe ekspertët rekomandojnë konsumimin e të paktën 1 apo 2 vakteve me peshk në javë.
Kur njeriu konsumon ushqim, trupi përthith acidet yndyrore omega-3 që gjenden në të dhe i përdor për të krijuar membranat e qelizave për trurin.
Një prej acideve yndyrore në fjalë është acidi alfa linolenik.
Ky acid gjendet tek salmoni, sardelet, trofta dhe skumbria.
Trupi e përdor këtë acid për të prodhuar një tjetër acid yndyror më kompleks që ndërton muret e qelizave të trurit.
Për këtë arsye, ngrënia e këtyre peshqve që rriten në ujëra të ftohta është e shëndetshme për trurin.
Sipas të dhënave njerëzit që konsumojnë tre racione me peshk në javë përballen me një rrezik më të ulët të sëmundjeve si Alzheimeri dhe Skleroza.
Mungesa e acidit të lartpërmendur mund të luajë rol pengues në aftësitë mendore tek të rinjtë, thonë ekspertët.
Proteina dhe amino acidet
Truri ka nevojë për amino acide për të lidhur transmetuesit nervorë që mundësojnë komunikimin nervor në mbarë trupin.
Sipas studimeve peshku përmban një proteinë të cilësisë së lartë që përmban sasi të jashtëzakonshme të amino acideve të rëndësishme.
Ato janë të rëndësishme sepse nuk prodhohen dot nga trupi ndaj duhen marrë nëpërmjet ushqimeve.
Marrja e proteinave të peshkut ndihmon në përmirësimin e aftësive mendore.
Vitamina D
Vitamina D gjendet natyralisht në shumë pak ushqime.
Peshku është një prej tyre.
Vitamina D është thelbësore për zhvillimin e duhur të trurit dhe funksionet e tij.
Njerëzit që kanë sasi të larta të vitaminës D në organizëm kanë një shëndet më të mirë mendor.
Për më tepër, vitamina D e ndihmon trupin të përthithë kalçiumin, një gjë që promovon funksionin e shëndetshëm të nervave të trurit./Botapress/