Kryeministri Albin Kurti, nuk arriti ta takojë Sekretarin Amerikan të Shtetit Anthony Blinken edhe pse kurrë më afër nuk e ka pasur fizikisht. Gjatë tri ditëve në Munih, të vetmin kontakt me diplomacinë amerikane, Kurti e pati nëpërmjet një telefonate.
Ai që e thirri, ishte Derek Chollet,Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit, rang Nënsekretari, që tregoi se ka pasur një bisedë të shkëlqyeshme me Kryeministrin e Kosovës, ndërsa njoftoi se në qendër të bisedës ishte mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë më 3 Prill. Por, për çudi Kurti nuk njoftoi fare për këtë bisedë, këtë nuk e bëri as zyra për media e Qeverisë, e cila njoftoi për secilin aktivitet që shefi i qeverisë pati në Gjermani.
Që prej vitit të kaluar, është folur shumë për një takim të munguar Kurti-Blinken. Eksponentë të opozitës, duke parë që Kurti nuk po udhëton përtej Atlantikut, nuk hezituan të thonë se arsyeja që nuk ka vizitë në SHBA, për takime të nivelit shtetëror, është e natyrës politike, e jo e karakterit teknik çfarë ishte përshkruar nga zyrtarë të Qeverisë.
Me të hyrë në këtë vit, muajin e kaluar, një letër i erdhi Kurtit nga Sekretari Blinken. Aty nuk pati ndonjë paragraf ku flitet për vizitë, por kërkesa mjaftë eksplicite që lidhen kryesisht me dialogun.
Madje, Blinken po ia rekomandonte me emra Kurtit, dy diplomatët amerikanë me të cilët duhet të punojë.
“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, shkruante Sekretari.
Të premten që shkoi, Kurti dhe Presidentja Osmani mund të jenë nisur me optimizëm drejt Munihut ku një delegacioni i lartë amerikan, sikur të gjithë të ftuarit do të qëndronte së paku dy ditë në konferencën e famshme. Në konferencën e Mynihut, Amerika përfaqësohet kryesisht në nivel të Nënpresidentit dhe Sekretarit të Shtetit. Aty, zakonisht, ka pasur mundësi të mira për lidershipin e Kosovës që të takojë palën amerikane. Nëse kërkohen në internet, mund të gjenden fotografitë, kur liderë nga Kosova shihen duke realizuar takime me amerikanët në ambientet e konferencës.
Edhe pse Osmani dhe Kurti kësaj radhe edhe pse e shfrytëzuan maksimalisht konferencën, ku mbizotëroi kriza e Ukrainës, për të realizuar dhjetëra takime, në agjendën e tyre nuk kishte takime me zyrtarë të qeverisë amerikane. Për të qenë të saktë, edhe Kryeministri edhe Presidentja kësaj here njoftuan vetëm për nga një takim, me senatore nga SHBA.
Por, pikërisht në ditën kur Kurti udhëtoi drejt Gjermanisë të premten vonë, amerikanët kontaktuan Kryeministrin e Kosovës. Telefonata erdhi nga Derek Cholet këshilltar i lartë i Sekretarit të Shtetit, që në State Department shërben në rang Nënsekretari, e që kryen detyra speciale për çështje të ndryshme që i kërkohen nga Sekretari i Shtetit. Duket se aktualisht prioritet kryesor për amerikanët është mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill dhe kjo sipas të gjitha gjasave do të jetë një temë e nxehtë në raportet SHBA -Kosovë. Cholet ka zbuluar përmbajtjen e telefonatës.
“Telefonatë e shkëlqyeshme me Kryeministrin Albin Kurti. Rikonfirmova mbështetjen e palëkundur për sovranitetin e Kosovës. Përpara kemi zgjedhjet e Serbisë në prill, u diskutuan rastet kur shtetet e OSBE-së i kane pranuar kërkesat e shteteve të tjera për t’u lejuar votimi fizikisht. Falënderoj Kosovën për bujarinë e saj që priti afganët”, ka shkruar Chollet në Twitter.
Zakonisht, për biseda të tilla me zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarët në Kosovë mezi s’presin të njoftojnë, por as Kurti as Zyra e tij nuk kanë treguar për këtë thirrje nga Washingtoni.
Qeveria nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë më 16 janar brenda territorit të Kosovës as pas insistimit të vendeve të QUINT’it që OSBE të lejohet të “grumbullojë votat”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në reagimin e tyre respektuan të drejtën sovrane të Kosovës për një vendim të tillë por kërkuan që të nisin bisedimet që të gjendet një zgjidhje për zgjedhjet e 3 prillit.
Pas vizitës së dy emisarëve amerikanit Escobar dhe europianit Lajcak, u tha se është me rëndësi që serbëve t’u mundësohet votimi.
“Është e rëndësishme që banorët e Kosovës me të drejtë vote në Serbi të mund të marrin pjesë ne zgjedhjet e shpallura nga Beogradi për muajin prill. SHBA-ja mbështet marrjen e masave të duhur për të ndodhur kjo dhe për të lehtësuar procesin e votimit”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA’së.
Aktualisht qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është që serbët mund të votojnë në Zyrën Ndërlidhëse të Beogradit në Kosovë që ndodhet brenda objektit të BE’së apo edhe me Postë. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, me këtë qëndrim./Botapress.info/