Tribunali për krime në Jugosllavi me seli në Hagë. Misioni i UNMIK-ut. Pas tij, misioni i EULEX-it. Prokuroria Speciale e Kosovës. E krejt në fund Gjykata Speciale, edhe kjo me seli në Hagë.
Të gjitha këto institucione të drejtësisë kanë hetuar, akuzuar, gjykuar ish eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga përfundimi i luftës. Emrat sigurisht i dini, por rastet kryesore do t’i përmendim më vonë.
E pikërisht për hetimin e ish-ushtarëve të UÇK-së për krime lufte, Bashkimi Evropian po shpreh shqetësime në Raportin e Progresit.
Çka thanë Hovenier e Von Cramon për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë?
Në këtë raport që u publikua të mërkurën thuhet: “Pengesa të rëndësishme mbeten në gjykimin e duhur të rasteve të krimeve të luftës. Më gjerësisht, shqetësimet mbeten për gatishmërinë për t’i mbajtur përgjegjës ish-pjesëtarët e UÇK-së në rastet e krimeve të luftës”.
Sipas statistikave zyrtare të Fondit për të Drejtën Humanitare për krimet e luftës në Kosovë janë dënuar 38 pjesëtarë të UÇK-së, dhe 34 pjesëtarë të forcave serbe, prej tyre 32 serbë, 1 romë dhe 1 malazez. Pra, që nga Haga, UNMIK-u, EULEX-i, pra në të gjitha institucionet e drejtësisë, më shumë ka shqiptarë të dënuar për krime lufte se serbë. Kjo bazuar në statistikat e Fondit për të Drejtën Humanitare, një organizate mjaft kredibile në Kosovë.
Në Hagë për shembull ishin akuzuar komandantë si Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj që dolën të pafajshëm. Atje, ishte dënuar Haradin Bala.
Në Kosovë nga misionet ndërkombëtare u hetuan edhe pjesëtarë të gradave më të ulëta të UÇK-së. U akuzuan edhe komandantë të zonave të tjerë si Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Latif Gashi e të tjerë.
Ishte rasti për grupin Drenica. U akuzuan edhe vëllezërit Demaku, gjithashtu për krime lufte. Këto janë vetëm disa nga rastet më publike e të nivelit të lartë, ku pati hetim për krime lufte ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Pavarësisht se Raporti i Progresit, shprehi shqetësim që nuk po hetohen eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E pikërisht për UÇK-në është krijuar edhe Gjykata Speciale e Hagës. Aty po akuzon kupola e UÇK-së me eprorët si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi. Rasti i Salih Mustafës që u dënua me
26 vjet burg është aktualisht në Apel, e gjykimi po vazhdon edhe ndaj Pjetër Shalës.
Pra, Specialja po heton VETËM krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pikërisht Dhomat e Specializuara të Hagës përmenden në Raportin e Progresit. Aty kritikohet sërish Kosova për fondin që e ka ndarë për përkrahjen e të akuzuarve nga Specialja. Kurse, sipas raportit, Kosova nuk po ofron mbështetje financiare për viktimat. “Është e rëndësishme që Kosova ta adresojë këtë pabarazi të trajtimit”, thuhet në raport.
Pavarësisht statistikave për vënien e drejtësisë, forcat serbe sipas statistikave gjatë luftës së fundit në Kosovë, kanë vrarë mbi 13 mijë civilë. Kanë dhunuar mbi 20 mijë gra. Ishin dëbuar rreth 1 milionë qytetarë, e të zhdukur janë ende mbi 1 mijë e 500 të tjerë.